BDI akuzon për keqmenaxhim në NPK Tetova, Kasami: E lanë në mjerim për 20 vite
Pavarësisht se buxheti i paraparë për Ndërmarrjen Publike Komunale NPK “Tetova” – Tetovë është trefishuar gjatë vitit të fundit, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje vazhdojnë të malltretohen në mënyrë të pafalshme, aktualisht me katër paga të papaguara dhe mbi 1 vit pa u paguar sigurim. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Dega e Tetovës. Por, sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, kjo është e pavërtetë, raporton Portalb.mk.
Këshilltari Komunal nga BDI, Liridon Disha pyeti se nëse as buxheti prej 60 milionë denarësh për vitin e kaluar nuk mjaftoi për të siguruar pagat bazë të punëtorëve, atëherë sa para do duhet të japin qytetarët e Tetovës që udhëheqësit e komunës të jenë të kënaqur.
“Ne ngrisim dyshime serioze për rrjedhje fondesh dhe keqmenaxhim sistematik. Prandaj pyesim publikisht kryetarin Bilall Kasami: Në xhepat e kujt përfundojnë paratë publike të NPK-së? A përfundojnë ato në duart e familjarëve, shokëve të partisë apo të të punësuarve fiktivë? Po ashtu, pyesim publikisht: Sa persona të afërt me partinë janë “rehatuar” në këtë ndërmarrje me kontrata të dyshimta, ndërkohë që punëtorët e vërtetë që punojnë natë e ditë në terren mbeten katër muaj pa rroga? Pse nuk publikohet lista e të punësuarve dhe pozitat që mbajnë në NPK? Pse nuk ka asnjë auditim të pavarur të financave të kësaj ndërmarrjeje publike?”, tha Disha.
I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Është ironike pres konferenca e BDI-së, për 20 vite në pushtet qendror dhe lokal në Tetovë, Ndërmarrjen Publike Komunale e lanë në gjendje të mjerueshme. Sot, nuk është e vërtetë se punëtorët kanë vonesa, por unë besoj që aq është e turpshme reagimi i BDI-së për këtë rast sa që nuk vlen që unë t’i përgjigjem, besoj që drejtori i ndërmarrjes së bashku me punëtorët do të dalin para mediave dhe të tregojnë realitetin”, tha Kasami.
Kujtojmë që punëtorët e NPK-së në të kaluarën vazhdimisht kanë pasur probleme dhe kanë qenë në minus me pagat.
- LEXO: NPK-ja e Tetovës assesi të zhbllokohet financiarisht, punëtorët mbeten pa rroga dhe kontribute
Përndryshe, më 11 dhjetor 2024 Këshilli Komunal miratoi vendim që të mbulojë harxhimet dhe humbjet e NPK-së në vlerë prej rreth 60 milionë denarë, të cilat pritej të destinoheshin për pagat e punëtorëve të cilët kanë vonesa prej disa muajve.
Nga opozita aso kohe thanë se ky veprim ngre dyshime për keqpërdorime dhe nuk e përkrahën të njëjtën duke e braktisur seancën.
Komuna e Tetovës edhe në të kaluarën e ka subvencionuar NPK-në me miliona denarë, ndërkaq opozita edhe atëherë e ka braktisur seancën.