Komisioneri Evropian për të drejtat e njeriut, O’Flaerty: Edhe pse RMV ka ligje të mira, romët përballen me diskriminim dhe përjashtim social

Romët në Maqedoni përballen me diskriminim, anticiganizëm, përjashtim social dhe varfëri, por edhe me rreziqe ekologjike, konstaton Komisioneri i të drejtave të njeriut i Këshillit Evropian, Michael O’Flaherty. Ai nga 22 deri më 25 prill e vizitoi Maqedoninë për tu informuar rreth të drejtave të njeriut të romëve, si dhe të drejtat e njeriut që kanë  të bëjnë me mjedisin jetësor. Ai theksoi se Maqedonia ka ligje të mira që nuk zbatohen, ose të paktën jo plotësisht, transmeton Portalb.mk.

O’Flaherty shprehu shqetësim për faktin se shumë romë vazhdojnë të përballen me diskriminim, varfëri dhe përjashtim social.

“Kur fondet janë të disponueshme për çështje që duhet t’i zgjidhin autoritetet lokale, ato rrallë shpenzohen plotësisht dhe jo gjithmonë përdoren në mënyrë adekuate në dobi të romëve”, thuhet në raportin e O’Flaherty.

Në shoqërinë në Maqedoni janë të përhapura forma të ndryshme të anti-ciganizmit.

“Kjo çon drejt diskriminmiit, përhapjes së stereotipeve, paragjykimeve dhe gjuhës së urrejtjes, sidomos në internet dhe në mediat”, thuhet në raport.

O’Flaherty shton se arsimi parashkollor është qenësor për përmirësimin e inkluzionit dhe suksesit të fëmijëve romë në shkollën fillore. Rreth 150 fëmijë romë ndjekin arsim parashkollor falas, që përbën vetëm 14% të fëmijëve romë të asaj moshe. Ata janë të regjistruar në shkollë, por vazhdojnë ta braktisin arsimin para kohe.

Një problem i madh në arsimin fillor është se disa shkolla kanë një shumicë të përqendruar të nxënësve romë ose pothuajse tërësisht frekuentohen nga fëmijë romë, edhe pse në afërsi ka edhe shkolla të tjera. Disa prindër të fëmijëve jo-romë nuk duan që fëmijët e tyre të mësojnë me romë, ndërsa në disa shkolla ka klasa në të cilat grupohen vetëm fëmijë romë.

“Kësi lloj segregacioni është dokumentuar në shkollat në Manastir, Shtip, Prilep, Koçan dhe Berovë, ndërsa po pritet ankesë edhe për një shkollë në Veles, gjë që tregon se fenomeni është i përhapur në zonat në të cilat jetojnë romët në Maqedoninë e Veriut”, thotë Komisioneri.

Ai është gjithashtu i shqetësuar për fëmijët që për çdo ditë i shohim në rrugë.

“Komisioneri u informua se vetëm një numër i vogël i fëmijëve të rrugës janë të pastrehë, por shumica u përkasin familjeve të margjinalizuara që jetojnë në varfëri ekstreme dhe në hapësira të mbipopulluara dhe nën standardet minimale. Për shkak të gjendjes së tyre të cenueshme, fëmijët e rrugës nuk shkojnë në shkollë dhe kanë ngecur në një cikël të përjashtimit social dhe varfërisë.

“Ata lypin ose shesin gjësende të vogla për të kontribuar në të ardhurat e familjeve të tyre”, thuhet në raport.

Sipas informacionit të dhënë nga zëvendësministri i politikës sociale në vendin tonë ka rreth 400 fëmijë rruge, shumica e të cilëve janë në Shkup dhe Prilep. Në vend ka tre qendra për kujdes ditor me rreth 70-80 vende, ndërkohë që fëmijët e tjerë nuk kanë qasje në forma të tjera të kujdesit ose aktiviteteve edukative.

Komisioneri u informua edhe se po vazhdon trajtimi diskriminues i romëve nga policia. Shoqëria civile ndau raporte për profilizim etnik, arrestime arbitrare të romëve të rinj dhe përdorimin e fyerjeve raciste dhe forcës së tepërt gjatë arrestimeve dhe marrjes në pyetje nga policia.

O’Flaherty gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për ndikimet negative të ndotjes së ajrit ndaj shëndetit të njeriut, sidomos në Shkup, Manastir dhe Tetovë. Ai i porositi autoritetet që t’i njohin rreziqet ekologjike ndaj të cilave janë të ekspozuara komunitetet e cenueshme rome.

Se fëmijët romë në Maqedoninë e Veriut përballen me përjashtim të rëndë, tregoi edhe raporti i  UNICEF-it. Aty thuhet se ata përballen me shkallë veçanërisht të lartë të varfërisë dhe privimit, dhe regjistrim dhe arritje të ulëta arsimore në krahasim me mesataret kombëtare. Barrierat strukturore – të tilla si masat e kufizuara të institucionalizuara për mbështetje të përshtatur dhe diskriminimi institucional – kufizojnë përdorimin e shërbimeve sociale, duke përjetësuar një cikël varfërie dhe përjashtimi në brezin e ardhshëm. Diskriminimi shpesh nuk raportohet për shkak të frikës ose dorëheqjes, duke theksuar nevojën për politika dhe burime të synuara për të thyer këtë cikël dhe për të siguruar përfshirjen efektive të komuniteteve rome.