RMV, ndihma sociale do të vonohet, ministria u kërkoi qytetarëve të kenë durim

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë informoi qytetarët se gjatë zbatimit të një zgjidhjeje të re softuerike, e cila synon modernizimin e proceseve për përpunimin dhe pagesën e të drejtave të mbrojtjes sociale dhe ëmijëve në qendrat për punë sociale, kanë lindur disa probleme të paparashikuara. Për shkak të tyre, pagesa e ndihmës sociale do të vonohet, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për një reformë të rëndësishme, që ka për qëllim rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve që marrin qytetarët. Gjatë procesit të harmonizimit teknik dhe migrimit të të dhënave janë paraqitur sfida të caktuara të paparashikuara, të cilat kanë shkaktuar zgjatjen e afatit për përpunimin e të dhënave dhe, si pasojë, vonesën e pagesës së përfitimeve financiare nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve për disa ditë”, thuhet në njoftim.

Nga ministria sigurojnë se pagesat do të realizohen menjëherë pas përfundimit të harmonizimeve teknike. Megjithatë, në njoftim nuk është specifikuar se kur saktësisht pritet të ndodhë kjo.