Bashkimi Evropian hapi hetim ndaj Apple, Google dhe Meta

Bashkimi Evropian hapi hetime ndaj disa prej firmave më të mëdha të teknologjisë në botë për ndjekjen e praktikave kundër konkurrencës, raporton PCW. Alphabet, Meta dhe Apple po hetohen për shkelje të Aktiti të Tregjeve Digjitale (DMA) i cili hyri në fuqi pak ditë më parë.

Nëse zbulohen në shkelje të tij, kompanitë mund të përballen me gjoba deri në 10 përqind të të ardhurave të tyre vjetore.

Shefja e konkurrencës së BE-së, Margrethe Vestager dhe shefi i industrisë Thierry Breton njoftuan hapjen e hetimeve ditën e Hënë.

Lajmi vjen vetëm tre javë pasi BE-ja gjobiti Apple me 1.8 miliardë euro për shkeljen e ligjeve të konkurrencës në music streaming.

Ndërkaq Shtetet e Bashkuara akuzuan Apple javën e kaluar për monopolizimin e tregut të smartfonëve.

Bashkimi Evropian në hetimin e njoftuar sot beson se Apple dhe Alphabet po përpiqen të anashkalojnë rregullat duke e bërë të vështirë njoftimin e përdoruesve nga aplikacionet për mënyrat alternative të pagesave.

Meta nga ana tjetër po hetohet për vendosjen e një tarife e cila shmang gjurmimin e përdoruesve për qëllime reklamimi.

“Lëvizja ka detyruar miliona përdorues në Europë të zgjedhin mes pagesës ose të pranojnë të gjurmohen,” tha Breton.

Sipas Vestager hetimi do të marrë rreth 12 muaj për tu përfunduar. “Dyshojmë se zgjidhjet e aplikuara nga tre kompanitë nuk janë në përputhje me DMA,” tha ajo.