“Ballkani i Hapur” drejt shuarjes, kërkohet rikthim më serioz te Procesi i Berlinit

Katër vjet pas themelimit të “Ballkanit të Hapur” që fillimisht u quajt “Mini Shengen”, shpresat për funksionimin e kësaj nisme po shuhen, pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se “Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi”. Megjithatë, zyrtarisht, kjo nismë ende është në fuqi, e cila vazhdon të mbështetet nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Në çdo projekt në kuadër të kësaj iniciative, siç ishte paralajmërimi i hapjes së pikës së përbashkët kufitare “Qafë Thanë” dhe sistemi i përbashkët elektronik për pagesën e taksës rrugore mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ringjall debatin mes palëve “për” dhe “kundër”.

Aleanca për Shqiptarët, edhe pse është pjesë e Qeverisë, ajo nuk e ka mbështetur që prej fillimit këtë iniciativë.

“Dëmet e nismës në bashkëpunimin rajonal si tërësi padyshim kanë tejkaluar benefitet individuale në tre vendet pjesëmarrëse. Në vend të rritjes së mirëbesimit dhe forcimit të frymës së bashkëpunimit, ky projekt polarizoi edhe më tepër Ballkanin Perëndimor në një kohë tanimë të trazuar për rajonin dhe kontinentin. Andaj, përshëndesim tërheqjen e Shqipërisë nga kjo nismë dhe fokusimin e tërësishëm të qeverisë shqiptare në Procesin e Berlinit, si korniza e vetme për integrimin ekonomiko-politik të rajonit, zgjidhjen e pengesave të mbetura për arritjen e Tregut të përbashkët rajonal dhe rruga e vetme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata shtojnë se me daljen e Shqipërisë nga ky mekanizëm, Ballkani i Hapur është projekt i vdekur dhe se tani, tërë energjia e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duhet t’i dedikohet zbatimit të planit të veprimit 2021-2024 të tregut të përbashkët rajonal, për të mirën e qytetarëve të vendit dhe të rajonit në një frymë evropiane dhe barazitare për sa u përket marrëdhënieve midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tyre, improvizimet dhe aventurat në kuadër të proceseve paralele, jo inkluzive dhe që çojnë drejt një Ballkani Perëndimor me dy shpejtësi kanë marrë fund.

Edhe opozitarja Lëvizja BESA, kërkon që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të distancohet nga projekti “Ballkani i Hapur”.

“Pas disa përpjekjeve që të konkretizohet projekti “Ballkani i Hapur”, Edi Rama si njëri nga nismëtarët kryesor hetoi planin e rikthimit të sundimit serbo-rus në Ballkan, përmes realizimit të projektit të sipërpërmendur dhe në deklarimin e fundit u shpreh kundër kësaj nisme të mbrapsht. Për dallim nga qëndrimi i Kryeministrit shqiptar, kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski ripotencoi që projekti “Open Ballkan” qenka nismë e ndritur, ngase përmes të njëjtit, popullata dhe mallrat do të qarkullojë më lirshëm, gjë e cila nuk ndodhi ngaqë edhe sivjet diaspora shqiptare u ballafaqua me pritjet e gjata nëpër kufij”, thonë nga Lëvizja BESA.

Lëvizja BESA, thuhet në reagim, në vazhdimësi mbetet kundër çdo nisme, e cila si bazament nuk do të ketë fqinjësinë e mirë, agjendën pro-evropiane dhe njohjen e ndërsjellë ndër-shtetërore.

“Andaj kërkojmë edhe njëherë që Maqedonia e Veriut, të heq dorë nga nisma e “Ballkanit të Hapur” dhe orientimi i vetëm të mbetet “Procesi i Berlinit”, i cili në thelb përmban euro-integrimin e të gjithë popujve, duke respektuar vlerat e gjithë secilit pa-kushte”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Nga partia shqiptare në pushtet, tani për tani nuk ka kurrfarë deklarimi në lidhje me ndodhitë e fundit rreth kësaj iniciative. Funksionarët e saj shihen nëpër ngjarjet e organizuara në kuadër të projekteve të kësaj nisme.

Derisa BDI-ja zyrtare hesht, për media u prononcuan nga fraksioni i ashtuquajtur “Grupi i Zjarrit” i udhëhequr nga Izet Mexhiti, i cili pritet që së shpejti pritet të formojë dhe parti. Nga ky grup thonë çdo projekt i cili përfshinë Serbinë dhe jo Kosovën, nuk sjellë asgjë të mirë për rajonin.

“E kemi thënë që në fillim, nuk jemi konsultuar për iniciativën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç ‘Ballkani i hapur’, nuk e kemi pranuar asnjëherë, nuk i kemi pasur të njohura qëllimet e tij, as rezultatet potenciale në të ardhmen, rrjedhimisht edhe kemi qenë kundër. Asnjë iniciativë e çfarëdollojshme regjionale, politike apo ekonomike, në të cilën është Serbia dhe nuk është Kosova, nuk mundet të sjellë asgjë të mirë për regjionin. Përshëndesim tërheqjen nga kjo nismë të kryeministrit Rama duke potencuar që BDI dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po mbeten aleati i fundit i Aleksandar Vuçiçit”, thonë nga Grupi i Zjarrit për TV21.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.