Kovaçevski dhe Bërnabiq promovuan sistemin e përbashkët elektronik për pagesën e taksës rrugore
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq, sot në pikëpagesën “Preshevë” kanë promovuar sistemin e përbashkët elektronik të integruar për pagesën e taksës rrugore, njofton Portalb.mk.
“Në vetëm 3 muaj, inxhinierët serbë dhe maqedonas arritën të krijojnë zgjidhjen për sistemin e përbashkët elektronik për pagesën e taksës rrugore. Sot, së bashku me ministrin Boçvarski, erdhëm me veturë nga Shkupi me një kartë M-TAG të blerë nga Maqedonia që funksionon në mënyrë perfekte në Serbi. Deri të premten e ardhshme do gjendet zgjidhje për qarkullimin e mallrave, kështu do të mundet të kalojnë edhe kamionët”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ai shtoi se ky është një tjetër konfirmim se nisma “Ballkani i Hapur” funksionon pikërisht për të përshpejtuar fluksin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe kapitalit.
Ndryshe, ky sistem i përbashkët i njohur si ENP u promovua vitin e kaluar në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër nga Dimitar Kovaçevski, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq.
Përmes këtij sistemi mundësohet pagesë elektronike nëpër pikat e pagesave rrugore, që vetëm me një TAG paguhet taksa e rrugës në vendet tjera, pa ndaluar apo blerë biletë shtesë. Pra ju nëse paguani në hyrje të Serbisë dhe vendosni sistemin apo pajisjen ENP në makinën tuaj, atëherë ai do të jetë funksional dhe ju nuk duhet të ndaloni në asnjë pikë të pagesës rrugore si në Serbi, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Me këtë sistem mundësohet evitimi i pritjeve dhe kolonave edhe nëpër pikat e pagesës rrugore.