Kurti diskutoi me Lajçakun për uljen e tensioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të hënën me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për uljen e tensioneve me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Dy zyrtarët kanë biseduar në margjina të Simpoziumit SYMI të mbajtur në Kretë të Greqisë, transmeton REL.

Kurti e ka konfirmuar vetë takimin përmes një postimi në Twitter.

“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar. Moti ka qenë shumë më i nxehtë sesa diskutimet tona”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Tensionet në veri të Koosvës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Mirëpo, më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.