Prokuroria nuk heq dorë nga ndjekja penale e babait të Vanjës, do të apelojë vendimin për lirim nga akuzat

Prokuroria nuk heq dorë nga teza se Aleksandar Gjorçevski ishte i përfshirë në rrëmbimin e vajzës së tij Vanja dhe do të apelojë vendimin e sotëm të shkallës së parë që e liroi nga akuzat. Këtë e deklaroi prokurorja Ana Stojkoviq-Dimitrovska në një deklaratë për gazetarët pas shpalljes së vendimit për rrëmbimet dhe vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, kur u pyet për koment mbi lirimin e Gjorçevskit, transmeton Portalb.mk.

Siç deklaroi ajo, prokuroria, pas analizimit të provave, secili veçmas dhe të gjitha së bashku, nuk mund ta anashkalonte faktin se dy nga të pandehurit në hetim thanë se Vanja do të shkonte në shkollë vetëm në ditën kritike të 27 nëntorit 2023, ata e mësuan nga babai i tyre, përmes të pandehurit Ljupço Palevski.

“Edhe pse sot nuk i dëgjuam argumentet e gjykatës për këtë vendim, një fakt i padiskutueshëm që qëndron në anën e këtij të pandehuri është se vetëm prindërit e fëmijës e dinin se në këtë ditë kritike, si përjashtim, ajo do të shkonte në shkollë vetëm. Dy të pandehur dëshmuan se e mësuan këtë fakt nga babai, dhe nga askush tjetër, nga babai Aleksandar Gjorçevski përmes Palevskit. Nëse nuk do ta dinin se fëmija do të shkonte në shkollë vetëm në këtë ditë si përjashtim, nuk do të kishte pasur rrëmbim sepse nuk është e mundur, dhe nuk do të kishte pasur një rezultat të tillë të mëvonshëm”, tha prokurorja.

Ndryshe, Ljupço Palevski-Palço, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Velibor Manev janë dënuar me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçeskës. Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, është liruar nga akuzat. Shpenzimet e tij gjyqësore do të mbulohen nga shteti.

Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator 2024. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.