Avokatët e Gruevskit nuk u paraqitën në gjykimin për rastin “Talir”, lënda në lidhje me selinë e VMRO-së vjetërsohet në gusht
Dy avokatë të ish-kryeministrit të arratisur Nikola Gruevski, të cilët u emëruan sipas detyrës zyrtare, nuk erdhën për të dhënë argumentet e tyre përfundimtare në çështjen e pronës së VMRO DPMNE, transmeton Portalb.mk.
Të parit i kishte një fëmijë dhe mori pushim, ndërsa i dyti, i cili u emërua nga gjykata sot, nuk mund ta gjenin.
Për shkak të kësaj, gjyqi u shty për më 30 qershor, kur janë caktuar argumentet përfundimtare, megjithëse një vendim i mundshëm pritej sot.
Procesi po i afrohet fundit, por nuk ka mbaruar. Çështja vjetërsohet në gusht, pas së cilës i pandehuri i parë Gruevski dhe partia do të lirohen nga akuzat për ndërtimin e paligjshëm të selisë së partisë në pushtet.
Prona e partisë është aktualisht e ngrirë dhe kryeministri Hristijan Mickovski është ankuar disa herë për një sjellje të tillë të institucioneve gjyqësore.
Prokurori i sapoemëruar Nenad Saveski ia hoqi çështjen Talir prokurores Lençe Ristoska dhe ia caktoi një prokurori tjetër.
Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.
Me kalimin e viteve dhe pas ndryshimeve në Kodin Penal, u vjetërsuan lëndët TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.
Ish-kryeministri mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe “Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.
Për shkak se ai ishte i padisponueshëm, atij iu pezullua edhe hetimi për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të datës 27 prill 2017.
Të gjitha lajmet lidhur me këto raste i gjeni KËTU.