Autopsia e foshnjës që vdiq në Klinikën për Gjinekologji në Shkup tregoi se shkaku i vdekjes ishte moszhvillimi i mushkërive
Autopsia e foshnjës që vdiq në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë tregoi se shkaku i vdekjes ishte papjekuria e mushkërive, transmeton Portalb.mk.
Gjinekologjia njoftoi për këtë sot, duke deklaruar se pas marrjes së rezultateve të autopsisë, familja e të porsalindurit u thirr për t’u njohur personalisht me të gjitha detajet e gjetjes, e cila, siç shtuan ata, tregon se nuk kishte dëmtime fizike në asnjë nga organet e foshnjës.
“Për rrjedhën e mëtejshme të rastit, Ministria e Shëndetësisë ka formuar një komision ekspertësh me qëllim sqarimin e plotë të rastit dhe gjetjen e çdo parregullsie në trajtimin e foshnjes. Në përputhje me përfundimin, Klinika do të veprojë sipas të gjitha procedurave ligjore të përcaktuara për fillimin e mundshëm të procedurave disiplinore brenda afatit të lejuar”, deklaroi Klinika për Gjinekologji.
Ata shprehën keqardhje dhe ngushëllime familjes për humbjen e të porsalindurit.
Me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSh) nisi formimin e një komisioni për mbikëqyrje nga ekspertë, i cili duhet të përcaktojë nëse ka pasur ndonjë mangësi në trajtimin dhe kujdesin e fëmijës së ndjerë në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë.
Veprimet e institucioneve vijnë pasi Slloboden Peçat raportoi se një foshnjë, e cila kishte shans për jetë, vdiq në kujdes intensiv në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup më 1 tetor të këtij viti, dhe vdekja e tij iu paraqit familjes si diçka që nuk mund të ishte parandaluar. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga Sloboden Peçat tregojnë se brenda spitalit, vetë shefja e njësisë së kujdesit intensiv, dr Elizabeta Petkovska, i raportoi pediatres së njësisë, dr.Emilija Badeva, se “trajtimi i saj i papërshtatshëm shkaktoi komplikime nga të cilat foshnja vdiq”.
Drejtoresha e spitalit, dr. Irena Aleksiovska Papestiev, pasi mori këtë raport, e largoi pediatren nga detyra në njësinë e kujdesit intensiv dhe e transferoi në një njësi ku nuk ka reintubime (me kërkesë të pediatres). Megjithatë, për dy muaj, drejtoresha nuk e ka njoftuar as Ministrinë e Shëndetësisë, as Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, as Prokurorinë Publike për këtë rast në të cilin shefja e njësisë së kujdesit intensiv denoncoi një mjek nga njësia për trajtim të papërshtatshëm të një foshnje me pasoja fatale.