“Askush s’e do Sadikun”: projekti i ri i Ibër Dearit që sfidon indiferencën e shoqërisë

Askush nuk e sheh. Askush nuk e dëgjon. Askush nuk e kujton. Sadiku është njeriu që ekziston, por për botën sikur nuk ka ekzistuar kurrë. I vetmuar, i padukshëm, i fshirë nga kujtesa e të gjithëve, ai bëhet zemra e filmit të ri të regjisorit Ibër Deari, një rrëfim që godet fort mbi harresën, izolimin dhe dramën e njeriut të lënë në margjina. Projekti, i cili sapo ka marrë mbështetje nga Agjencia e Filmit, tashmë ka nisur rrugëtimin drejt ekranit të madh, shkruan Portalb.mk.

Me titullin provokues “Nobody Loves Sadik”  – “Askush s’e do Sadikun”, filmi premton të sjellë një histori që prek një nga plagët më të heshtura të shoqërisë moderne: njerëzit që jetojnë mes nesh, por që askush nuk i sheh, nuk i dëgjon dhe nuk i kujton.

Regjisori Ibër Deari për Portalb.mk shpjegon se Sadiku nuk është vetëm një personazh filmik.

“Sadiku është pasqyrë e shumë njerëzve që jetojnë pranë nesh. Një njeri i vetmuar, që nuk është dëgjuar, nuk është parë dhe që gradualisht është harruar nga shoqëria”, thotë regjisori.

Po aq intrigues sa titulli është edhe slogani që shoqëron filmin: “Pa dashuri. Vetëm kinema.” Megjithatë, Deari sqaron se nuk bëhet fjalë për kritikë ndaj filmave sentimentalë apo industrisë së filmit.

“Jo, aspak nuk e kam qëllimin të godas filma të tjerë. ‘Pa dashuri, vetëm kinema’ është një tagline që lidhet drejtpërdrejt me titullin e filmit. Kur askush nuk e do Sadikun, është kinemaja ajo që i hap dyert dhe e vlerëson historinë e tij. Në një farë mënyre, kinemaja bëhet vendi i vetëm ku Sadiku dëgjohet, kuptohet dhe merr vëmendjen që nuk e ka gjetur në jetën e përditshme”, shprehet ai.

“Askush s’e do Sadikun” do të jetë filmi i dytë me metrazh të gjatë i Iber Dearit. Regjisori thotë se çdo film është një aventurë e pasigurt, por njëkohësisht një mundësi për të krijuar diçka që mbetet.

“Them të drejtën, vetë bërja e një filmi është rrezik. Kërkon kohë, energji dhe shumë përkushtim. Por kur e do kinemanë, nuk i sheh si rreziqe, por si mundësi. Për rrezikun artistik, nuk e di ende. Është shumë herët. Besoj se gjatë procesit do ta kem më të qartë se çfarë po provoj ndryshe këtë herë”, thotë ai.

Mbështetja e marrë nga Agjencia e Filmit është një hap i rëndësishëm, por Deari pranon se sfidat financiare mbeten pjesë e pandashme e kinemasë në rajon.

“Të bësh film, buxhetet pothuajse asnjëherë nuk janë të mjaftueshme. Por ne si filmbërës duhet të mësohemi të jemi mirënjohës për mbështetjen fillestare, sepse ende nuk jemi një industri e madhe filmi. Pas kësaj, detyra jonë është të vazhdojmë të kërkojmë bashkëprodhime dhe partnerë nga vende të tjera për ta rritur buxhetin dhe mundësitë e filmit.

Unë besoj se filmat e mirë nuk i përcakton vetëm buxheti. Ajo që i bën të veçantë është historia, vizioni dhe mënyra kreative se si bashkëpunon ekipi.

Jam shumë mirënjohës ndaj Agjencisë së Filmit për mbështetjen e filmit tim të dytë. Për mua është një mundësi e madhe për të vazhduar rrugëtimin tim në kinema dhe për të treguar histori që besoj se meritojnë të dëgjohen”, deklaron regjisori.

Filmi do të realizohet në bashkëpunim me producentin Avdi Thaçi dhe shtëpinë filmike Lumiere Films nga Shkupi, si një bashkëprodhim rajonal që synon të sjellë në ekran një histori njerëzore, të dhimbshme dhe aktuale.

Ndoshta askush nuk e do Sadikun. Por shumë shpejt, publiku mund të fillojë ta njohë.