ASh Taravari: Skandal me përmasat e një afere kriminale në hapësirat e ish-Monopollit në Tetovë 

Procesi i prishjes së objekteve te ish-Monopolli në Tetovë realizohet në mënyrë të paqartë dhe jotransparente duke neglizhuar standardet mjedisore dhe rreziqet për shëndetin publik. Kështu kanë reaguar sot nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, transmeton Portalb.mk.

Gadaf Uzairi tha se ky objekt nuk është thjesht një ndërtim industrial por që ish-Monopolli është një pikë referimi historik për popullin shqiptar ku në nëntor të vitit 1944, mbi 10.000 shqiptarë u grumbulluan këtu dhe qindra prej tyre, u masakruan në një nga faqet më të errëta të historisë. 

“Ajo që e bën këtë situatë edhe më alarmante është mënyra se si është manipuluar prona publike. Sipas informacioneve zyrtare, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, fillimisht e ka shitur parcelën për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas ka ndërhyrë në planin detal urbanistik, duke e kategorizuar atë si zonë ndërtimore, çka ka rritur ndjeshëm vlerën tregtare të tokës dhe i ka hapur rrugë zhvillimeve komerciale në dëm të interesit publik”, tha Uzairi.

Siç tha ai, kompania që bleu këtë hapësirë është në gjendje të rëndë financiare dhe pranë falimentimit dhe që vetëm forcon dyshimet për një aferë të mirëfilltë kriminale dhe për favore të dyshimta ndaj investitorëve të caktuar.

“Për më tepër, dhe më skandaloze, është se ne kemi informata jozyrtare se gjatë punimeve në këtë hapësirë janë zbuluar edhe eshtra që dyshohet se i përkasin viktimave të masakrës së Monopollit”, tha Uzairi.

Reagime për shitjen e ish-Monopollit dhe prishjen e objekteve, ditëve të fundit ka pasur vazhdimisht edhe nga eksponentë të BDI-së. 

Rrënimi i objekteve te ish- Monopolli në Tetovë ka shkaktuar ndotje të ajrit dhe pluhur të madh në qytet, për çka kanë reaguar organizatat e mjedisit, të cilat kërkuan përgjegjësi nga institucionet kompetente. 

Në muajin mars 2025 opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa. 

Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi. 

Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal aktual i Tetovës, shumicën e të cilit e përbëjnë Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.

Pra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.

Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.