ASH pyet VLEN-in: Pse nuk keni guxim të pranoni se VMRO-DPMNE po stagnon me qëllim miratimin e ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat?
Nga zyra për komunikim me publikun e Aleancës për Shqiptarët- krahu i Arben Taravarit, për Portalb.mk kanë komentuar akuzat ndaj kreut të tyre nga kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, i cili theksoi se zënkat me Taravarin brenda në VLEN dhe ikja e tij nga koalicioni janë arsye për vonimin e miratimit të zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Është një alibi pa sens që po përdorin Kasami dhe Mexhiti, një trillim i qëllimshëm për të shmangur barrën e përgjegjësisë për dështimet e njëpasnjëshme të tyre në qeverisje. Në daljen e tij publike, Arben Taravari shprehu qëndrimin e Aleancës për Shqiptarët për largimin nga qeveria dhe koalicioni VLEN, duke theksuar si një nga arsyet kryesore vonesën e pajustifikueshme në miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. ASH e braktisi qeverinë para më shumë se një muaji, ndërkohë që ligji po zvarritet për mbi gjashtë muaj. Prandaj, akuzat e krerëve të VLEN-it janë të pabaza dhe synojnë vetëm të shpëtojnë fytyrën përballë opinionit që po e kupton gjithnjë e më qartë se ata janë shndërruar në një zgjatim të VMRO-DPMNE-së, në një instrument qeveritar pa legjitimitet politik mes shqiptarëve. Për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të autorizuar nga koalicioni VLEN kanë qenë pikërisht Arben Fetai dhe Izet Mexhiti. Ata janë përgjegjësit kryesorë të procesit, dhe tani përpiqen t’i hedhin fajin të tjerëve”, thonë nga ASH për Portalb.mk.
Nga aty thonë se Taravari nuk ka qenë as anëtar i ekipit të VLEN-it që ka punuar në përpilimin e ligjit, dhe për rrjedhojë, nuk ka pasur asnjë mundësi ta vonojë procesin. Përkundrazi, theksojnë nga ASH, Aleanca për Shqiptarët ka këmbëngulur deri në fund që ligji të miratohet sa më parë, për të shmangur vakumin juridik që sot po keqpërdoret.
“Pse nuk kanë guximin t’u thonë shqiptarëve të vërtetën? Që është VMRO-DPMNE faktori që e stagnon me qëllim miratimin e ligjit? Apo ndoshta tremben ta thonë këtë, sepse janë bërë të varur politikisht nga ajo që dikur e kritikonin me zë të lartë? Dhe për proceset e tjera, kush i ndalon tani? Pse po nëpërkëmbet dinjiteti i shqiptarëve për çdo ditë? Si do të përballen me këtë përgjegjësi përpara votuesve shqiptarë”, thanë nga ASH-ja e Taravarit.
Ndryshe, në intervistën e tij në AlsatM kreu i Lëvizjes Besa, Billall Kasami deklaroi se ligji është vonuar edhe për shkak debatit të brendshëm me ASH dhe largimin e Arben Taravarit.
“Ne garantojmë se shumë shpejtë, tani më të çliruar nga ky faktor destruktiv, shumë shpejtë ky ligj do të jetë para opinionit”, tha Kasami.
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë në RMV: Premtime pa afat dhe përsëritje e refrenit “shumë shpejtë”
Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afate. Portalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.