ASh dhe Grupi i Zjarrit “jo” frontit opozitar të Besës dhe Alternativës

Grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët refuzoi ftesën e kreut të Lëvizjes Besa Bilall Kasami për t’iu bashkuar të ashtuquajturit front opozitar. Në reagimin e tyre thuhet se ftesa e tij është përçarëse, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

“Bilall Kasami, Aleanca për Shqiptarët nuk është vetëm grupi parlamentar, s’janë vetëm deputetët, aq më pak një grup mercenarësh që ti i quan kontakte me anëtarësinë e Aleancës për Shqiptarët. Aleanca është një tërësi strukture politike, me hierarki dhe strukturën e saj politike, të shtrirë në çdo qytet, fshat, lagje, nga Likova në Manastir. Nga vogëlsia jote prej politikani ne nuk presim që të dalin fjalë të mëdha, por vetëm fjalë me mesazhe përçarëse dhe të themi nuk je i gatuar për gjëra të mëdha,” deklaruan nga Grupi parlamentar i ASh-së.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli thotë se fronti opozitar nuk është vetëm i dy partive Besës dhe Alternativës por që mbetet I hapur për të gjithë deputetët, organizatat joqeveritare dhe ekspertët që duan ndryshim në skenën politike shqiptare. ASH-ja sipas tij, tashmë është përcaktuar në rrugën e saj.

“Ka qenë qëllim i mirë i kryetarit Kasami që sa më i gjerë të jetë ky grupin opozitar por realisht kryetari i Aleancës për Shqiptarët më herët deklaroi se ato kanë qëllime që të kenë lista të përbashkëta me BDI-në. Ndoshta ata e kanë zgjedh rrugën e tyre. Ata në punën e tyre, ne në punën tonë,” u shpreh Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Ftesa e Kasamit vlente edhe për deputetët e Grupit të Zjarrit. Këto të fundit e uruan nismën për front opozitar por shkurt thonë se do të vazhdojnë betejën e tyre brenda BDI-së. E deri sa janë të tillë, bashkëpunimi është i pamundur.

“Jemi të interesuar të bashkëpunojmë me ta. Por deri sa të deklarojnë se janë pjesë e BDI-së, ky bashkëpunim deri diku pamundësohet. Ne jemi parti opozitare. E kemi qëllimin që BDI-në ta çojmë në opozitë dhe deri sa ka paqartësi në këtë drejtim pamundësohet një bashkëpunim i tillë,” tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.   

Besa dhe Alternativa lidhën marrëveshje për krijimin e të ashtuquajturit front opozitar. Dy partitë e dala nga një trung i përbashkët disa vite më herët, tashmë e kanë të plan të formojnë edhe grup të përbashkët parlamentar.

LEXO: Kasami dhe Gashi nënshkruan deklaratë bashkëpunimi: Front opozitar për mbrojtjen e interesave integruese, shqiptare dhe qytetare