Arti skenik, pasqyrë e realitetit: Sot shënohet Dita Botërore e Teatrit
Sot shënohet 27 marsi, Dita Botërore e Teatrit, një ditë që i kushtohet artit skenik dhe fuqisë së tij për të reflektuar shoqërinë, për të ngritur pyetje dhe për të bashkuar njerëzit përmes emocioneve dhe ideve, shkruan Portalb.mk.
Teatri është më shumë se argëtim, ai është pasqyrë e realitetit, zë i së vërtetës dhe hapësirë ku kultura dhe identiteti marrin jetë. Nëpërmjet skenës, aktorët dhe krijuesit përcjellin mesazhe të forta që ndikojnë në ndërgjegjen kolektive dhe nxisin dialogun shoqëror. Kjo ditë festohet që nga viti 1962, pasi u propozua nga Finlanda në Kongresin e 9-të botëror të Instituti Ndërkombëtar Teatror (INT), i mbajtur në vitin 1961 nën kujdesin e UNESCO.
Instituti Ndërkombëtar Teatror, i themeluar në vitin 1948 nga UNESCO, konsiderohet organizata më e rëndësishme joqeveritare në fushën e arteve interpretuese. Përmes aktiviteteve të tij, INT synon të nxisë shkëmbimin ndërkombëtar të përvojave dhe njohurive, të stimulojë krijimtarinë artistike dhe të forcojë bashkëpunimin mes profesionistëve të teatrit në mbarë botën.
Për më tepër, kjo organizatë promovon mirëkuptimin ndërkulturor, duke e parë teatrin si një mjet të fuqishëm për ndërtimin e paqes dhe forcimin e miqësisë mes popujve.
Dita Botërore e Teatrit shënohet çdo vit me aktivitete të ndryshme kulturore, shfaqje dhe mesazhe nga figura të njohura të skenës, duke rikujtuar rolin e pazëvendësueshëm të teatrit në reflektimin dhe zhvillimin e shoqërisë.