Arsovska do të dorëzojë padi kundër kryetarit të Gjorçe Petrovit pasi komuna ka miratuar Plan Detal Urbanistik pa miratimin e Qytetit të Shkupit

Këshilli i Komunës Gjorçe Petrov, pa pajtueshmëri nga Qyteti i Shkupit, në vikendin e kaluar në seancë ka votuar për ndryshim të Planit Detal Urbanistik (PDU) me të cilat ndërtimet e lejuara në rrugën “Aco Shopov” në mënyrë drastike janë rritur me ndërtesa 5 katëshe plus nënçati, të 20 katëshe plus nënçati, informoi sot në konferencë për shtyp kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, shkruan Portalb.mk.

“Më 17.02, të shtunën, në seancë të jashtëzakonshme Këshilli i Komunës Gjorçe Petrov, në kundërshtim me të gjitha procedurat, duke shkelur disa ligje, ka votuar Plan Detal Urbanistik me të cilin parashikohet ndërtimi i monstrumëve të betonit të përbëra nga 50 ndërtesa në pajtueshmëri me planin C3 16, ku parashikohet ndërtimi i 240.000 metrave katrorë hapësirë banesore prej 50 ndërtesave”, tha Arsovska, duke shtuar se ajo që shqetëson më shumë është ndërtimi i tre kapaciteteve për industri të kimikateve edhe atë me hapësirë prej 157.000 metra katrorë.

Ajo tha se për këtë plan, paraprakisht Qyteti i Shkupit ka dhënë dy herë mendim negativ dhe vërejtje, të cilat Komuna e Gjorçe Petrovit ka qenë e detyruar t’i mënjanojë dhe sërish ta dërgojë PDU-në për miratim në Qytetin e Shkupit.

“Pas dy mendimeve negative, kryetari i Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkovski ka vendosur, duke e shkelur ligjin që ta tejkalojë Qytetin e Shkupit dhe Planin si përfundimtar ta dërgojë për miratim në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve”, tha Arosvska.

Qyteti i Shkupit, siç paralajmëroi Arsovska, do të dorëzojë padi penale kundër kryetarit të Komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkovski, ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, kryetarit të Këshillit të Komunës së Gj.Petrovit, Lençe Neloska dhe të punësuarës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, Vesna Andreevska.

Në Gjykatën Kushtetuese, do të dorëzohet kërkesë që përkohësisht të ndalohet zbatimi i këtij Plani Detal Urbanistik.