Arsovska denoncoi ndërtimet pa leje në Çair: Nuk kam frikë nga kërcënimet
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, sot vizitoi disa lokacione në të gjithë Komunën e Çairit ku po kryhen aktivitete ndërtimore, të cilat sipas saj janë ndërtime të paligjshme. Ajo doli drejtpërdrejt (live) në profilin e saj në Facebook dy herë nga kantieret e ndërtimit. Nga ana tjetër nuk ka munguar as reagimi i kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu, shkruan Portalb.mk.
Duke lëvizur nëpër vendin e ndërtimit, kryetarja Arsovska njoftoi se e shoqërojnë edhe shërbimet e inspektimit nga administrata e qytetit. Arsovska tha se ndërtimi që po zhvillohet në komunën e Çairit është në kundërshtim me ligjin. Ajo i kërkoi Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të reagojë menjëherë.
“Aktualisht, në komunën e Çairit, në kundërshtim me ligjin, kanë filluar ndërtime të reja pa leje. Fatkeqësisht, Ministria e Brendshme nuk ka reaguar as në këtë pikë. I bëjmë thirrje ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, të reagojë. Gjithashtu i bëjmë thirrje Stojançe Angelovit të vijë këtu për të parë këto gropa të pasigurta, ku çdo kalimtar, fëmijë ose çdo banor mund të lëndohet. Të dalë në vend dhe të thotë nëse këtu ka ‘siguri në radhë të parë'”, tha kryetarja e Shkupit.
Ajo tha se, se automjetet që punojnë në objekt nuk janë të regjistruara dhe se punimet ndërtimore po kryhen pa asnjë leje, pa paguar shërbimet, pa leje ndërtimi, pa projekt dhe pa një dokument të vetëm që garanton sigurinë në ndërtim.
“Komuna e Çairit dhe “princesha e ndërtimeve pa leje” nuk gjenden gjëkundi. Ai nuk është nga këtu dhe nuk e di se çfarë po ndodh në Komunën e Çairit. Le të mos habitemi me atë që po na ndodh në Maqedoni. Përveç kësaj, ndërtesa është në Planin e Përgjithshëm Urban të Qytetit të Shkupit, ku këta njerëz këtu kanë vendosur që do të nxjerrin fitim dhe do të ndërtojnë një ndërtesë në mënyrë të paligjshme, pa asnjë dokument, në mënyrë që të shtojnë edhe një milion në llogarinë e tyre”, thotë ajo.
Në videon e dytë, Arsovska është në një vendndodhje të re dhe tregon, siç tha ajo, një tjetër ndërtesë të paligjshme që po ndërtohet në tokë shtetërore.
Sipas saj, nevojiten masa urgjente dhe ligji duhet të respektohet, pavarësisht përkatësisë politike apo lidhjeve me investitorët.
Ajo theksoi se Qyteti i Shkupit nuk do të lejojë që krimi urban të përhapet me heshtjen e institucioneve.
Nga ana tjetër, i pari i Çairit, Visar Ganiu shprehu duke ironizuar për prezencën e kryetarës së Qytetit të Shkupit, shprehu mirënjohje për vizitën e saj.
“Më vjen mirë që zonja Arsovska pas 3 viteve e gjysmë i shkel këmba në Çair, si kryetare e Qytetit të Shkupit. Edhe ju jeni dëshmitar para disa ditëve se unë me kohë- kam edhe letra komunikimi- kërkoj që Inspektorati i tyre të veprojë në komunën e Çairit, dhe ne nuk kemi pasur asnjë përgjigje deri më tani. Më vjen mirë që ajo është zgjuar pas asaj press konference, ku ju e shihni që nuk funksionon grumbullimi i mbeturinave, i materialeve voluminoze. Dmth ne morëm iniciativë t’i mbledhim, na ndalën. Dmth pa PR, pa e kritikuar Qytetin e Shkupit. Dëgjova nga Kabineti im që na ka thirrur live të jem unë aty, është mirë që 3 vjet e gjysmë, e ka obligim neve kryetarëve të komunave dhe të mbajë mbledhje, a të mbledhje e ka obligim ligjor ta mbajë një herë në muaj. Ajo 3 vjet e gjysmë nuk ka mbajtur mbledhje, prej në trotuar më thirr që të komunikoj, është nivel i ulët. Edhe plus të gjithë mediumet e keni ditur që sot në ora 11 kemi, ajo del në ora 10 atje, ku ka përplasje të terminëve, dhe e di që unë nuk mund të dalë atje. E gjithë kjo është PR, PR i ulët. Zonjës Arsovskës i them në Çair duhet të vish edhe për investime kapitale”, tha kryetari i Çairit.
Kryetarja e Shkupit, Arsovska në vitin e fundit të mandatit të saj është aktivizuar në terren dhe është bërë temë me konfrontimet e saj me kryetarët e komunave në Shkup. Para përplasjes me Ganiun, Arsovska ishte ngatërruar me kryetarin e komunës Shuto Orizari në lidhje me plehrat dhe deponitë e egra.