Zaev: Të shfrytëzojmë momentin e favorshëm gjeopolitik dhe të synojmë anëtarësimin në BE

Ish kryeministri Zoran Zaev, në një postim në Facebook, ka rikujtuar 30 shtatorin e vitit 2018, kur u mbajt referendumi për ndryshimin e emrit të shtetit. Ai theksoi se, kjo ditë ka qenë e rëndësishme në zhvillimin bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut, sepse në këtë ditë qytetarët e Maqedonisë nga të gjithë etnitë dolën në numër të madh që t’i japin mbështetje marrëveshjes historike të Prespës, për miqësi afatgjate me Greqinë fqinje, transmeton Portalb.mk.

“610 000 qytetarë votuan “për” në referendum dhe mbështetën kauzën “Dil për Maqedoni evropiane”, që është mbështetja më e madhe e dhënë përmes votës pas pavarësisë. Numri i votave “për” është më i madh nga numri i votave të të gjithë fituesve të të gjitha zgjedhjeve në historinë e shtetit”, shkruan Zaev.

Ai shtoi se, tani shteti ndodhet para n jë sfide të re politike.

“Pesë vite pas referendumit për hapin tonë historik përpara, përballemi para sfidave të reja komplekse. Qeveria jonë arrite të gjejë kompromis me Bullgarinë të paraqitur në propozimin evropian dhe në kornizën tonë negociuese, ndërsa një pjesë e asaj zgjidhje përmban edhe obligime tona për të cila është e domosdoshme marrëveshje mbipartiake e shumicës”, vlerësoi Zaev.

Ai bëri thirrje për përgjegjësi dhe veprime në, siç thotë, momentin e favorshëm gjeopolitik.

“Dhe kur të gjitha partitë demonstrojnë vendosshmëri për anëtarësim në Maqedoninë e Veriut në BE, është koha për sukses të ri të Maqedonisë. Në atë emër bëj thirrje për përgjegjësi dhe veprime me të cilat do t’i sigurojnë të gjitha kushtet dhe do të shfrytëzojmë momentin e favorshëm gjeopololitik për anëtarësimin tonë në union, më së voni deri në vitin 2030”, ka shkruar Zaev.

Maqedonia e Veriut mbajti referendum për emrin më 30 shtator të vitit 2018-të, me pyetjen nëse e pranonin emrin e ri Maqedonia e Veriut, i cili emër do t’ia hapte rrugën euroatlantike shtetit.

Në referendum votuan 666.743 votues (36.91%), 609.813 (91.46%) ishin për ndryshim të emrit, ndërkaq 37.700 (5.65%) ishin kundër.

Referendumi u shpall i suksesshëm dhe i pranuar nga bota perëndimore, ndonëse opozita e mohoi të njëjtën gjë për shkak të mosarritjes së censusit prej 50%.