Antikorrupsioni mori goditjen më të fortë nga BE: Besimi në pikëpyetje dhe shqetësime për transparencën
Besueshmëria e KSHPK-së është goditur rëndë në raportin e progresit për RMV-në të vitit 2025, sidomos pas dorëheqjes së kryetares nën akuza për shkelje serioze, gjë që ka vënë në pikëpyetje integritetin e institucionit. KSHPK vazhdon të funksionojë me mungesë të theksuar burimesh njerëzore dhe financiare, me kapacitet të kufizuar hetimor dhe me vështirësi në verifikimin efektiv të deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave, raporton Portalb.mk.
Pavarësisht pajisjes me softuer të ri dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për shkëmbim të të dhënave, puna e tij mbetet kryesisht reaktive dhe përfundimet shpesh injorohen nga institucionet. Raporti evidenton gjithashtu transparencë të dobët dhe hezitim për të trajtuar rastet politikisht të ndjeshme. Krahasuar me raportin e vitit 2024, situata është përkeqësuar dukshëm, pasi tashmë vërehet jo vetëm mungesë kapacitetesh, por edhe rënie e qartë e besueshmërisë institucionale.
Besueshmëria e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka pësuar rënien më të madhe të viteve të fundit, sipas raportit të BE-së për vitin 2025. Goditjen kryesore institucionit ia dha akuzimi i ish-kryetares Tatjana Dimitrovska, për zbulim të sekreteve zyrtare dhe falsifikim të një provimi për certifikatë sigurie, ngjarje që jo vetëm tronditi opinionin publik, por vuri seriozisht në dyshim integritetin dhe paanshmërinë e vetë organit që duhet të garantojë standardet më të larta të etikës.
“Në korrik 2025, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dha dorëheqjen pasi u akuzua për zbulimin e sekreteve zyrtare dhe falsifikimin e një provimi për të marrë certifikatë sigurie. Derisa KSHPK-ja vazhdon të jetë funksionale, besueshmëria e saj është vënë në pikëpyetje”, thuhet në raport.
Raporti thekson se KSHPK, edhe pse vazhdon të përmbushë funksionet bazë, operon me mungesa të theksuara njerëzore, financiare dhe teknike.
“KSHPK-ja e përqendroi punën e saj në bashkëpunimin ndërinstitucional, rritjen e ndërgjegjësimit, zbatimin e sistemeve të integritetit, mbikëqyrjen e financimit të fushatave zgjedhore dhe deklaratat e pasurisë. Në dhjetor 2024, KSHPK-ja kritikoi ndryshimet e propozuara në ligjin e prokurimit publik, duke ushtruar kompetencat e saj mbikëqyrëse kundër korrupsionit. KSHPK-ja ishte më pak aktive në zbulimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit. KSHPK-ja identifikoi burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare, llogaridhënien e pamjaftueshme dhe koordinimin e dobët ndërinstitucional si arsye të mëtejshme për zbatimin e ulët. Vetëm 18% e aktiviteteve të planifikuara për vitin 2024 u zbatuan plotësisht, ndërsa 32% janë në vazhdim dhe 50% nuk janë zbatuar. Kjo është një rritje shumë e kufizuar nga viti i kaluar, kur 13% e aktiviteteve të planifikuara ishin zbatuar plotësisht, 33% ishin në vazhdim dhe 54% nuk ishin zbatuar”, thuhet në raport.
KE-ja thekson se Maqedonia e Veriut duhet të miratojë strategji të re për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit (2026-2030) në mënyrë të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse.
“Strategjia e re duhet të identifikojë qartë aktivitetet prioritare, përgjegjësinë e institucioneve për zbatimin e aktiviteteve dhe implikimet e tyre financiare”, thuhet në raport.
Kapaciteti për të verifikuar deklaratat e pasurisë mbetet i kufizuar, për shkak të mungesës së ekspertëve hetimorë dhe ndërveprueshmërisë jo të plotë të bazave të të dhënave institucionale.
“Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të deklarojnë pasuritë dhe interesat e tyre në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), i cili mban një regjistër të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar. KSHPK përballet me kufizime të përgjithshme në verifikimin e deklaratave të pasurisë. Bazuar në Planin Vjetor për Monitorimin e Gjendjes së Pronës dhe Konfliktit të Interesit për vitin 2025, janë verifikuar deklaratat e 13 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe 9 anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe anëtarët e të dy Këshillave, duhet gjithashtu të shmangin konfliktet e interesit dhe të raportojnë çdo konflikt që lind”, thuhet në raport.
Edhe mbikëqyrja e financimit të fushatave zgjedhore vazhdon të jetë e dobët, me procese ende manuale dhe me mungesë analistësh profesionalë që do të mund të garantonin kontroll real dhe të thelluar.
“Aftësia e KSHPK-së për të mbikëqyrur në mënyrë efektive financimin e partive politike mbetet e kufizuar për shkak të kornizës legjislative joadekuate dhe mungesës së burimeve dhe ekspertizës. Ndryshimet e marsit 2024 në Kodin Zgjedhor anashkaluan rekomandimet kryesore të ODIHR-it, veçanërisht mbi financimin e fushatës nga palët e treta, kontributet në natyrë dhe raportimin e kredive, si dhe sanksionet efektive”, thekson raporti.
Pavarësisht disa përmirësimeve teknike: si nënshkrimi i marrëveshjeve të reja për shkëmbim elektronik të të dhënave dhe vendosja e softuerit të ri, KSHPK shihet ende si institucion kryesisht reaktiv, që në shumicën e rasteve vepron vetëm pasi çështjet bëhen publike. Për më tepër, raporti vë në dukje hezitimin e Komisionit për të trajtuar çështjet më të ndjeshme politikisht dhe komunikimin e dobët me publikun, çka e dëmton edhe më shumë transparencën dhe imazhin e tij.
“KSHPK-ja ka hezituar në trajtimin e rasteve politikisht të ndjeshme dhe komunikimi i saj me publikun ka qenë i pamjaftueshëm, duke ngritur shqetësime në lidhje me transparencën e saj”, thuhet në raport.
Raporti më tej thekson se KSHPK-ja duhet të rrisë kapacitetin e saj për të identifikuar në mënyrë proaktive rastet e mundshme të shkeljeve të ligjit. Gjetjet në raportet e KSHPK-së shpesh nuk merren në konsideratë nga institucionet përkatëse. KSHPK-ja ende përballet me kufizime në verifikimin e deklaratave të pasurisë. Përveç kësaj, mbikëqyrja e saj e financimit të fushatës zgjedhore mbetet e dobët për shkak të kuadrit legjislativ joadekuat, burimeve të kufizuara, përpunimit manual të të dhënave dhe mungesës së planifikimit.
“Në vitin 2024, KSHPK-ja nënshkroi memorandume mirëkuptimi për shkëmbimin elektronik të të dhënave me pesë institucione dhe me disa banka. Tani është e pajisur me softuer të ri që duhet ta ndihmojë atë të kryejë mandatin e saj në mënyrë më efikase dhe transparente. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të promovuar shkëmbimin e të dhënave, dhe softueri duhet të mirëmbahet dhe përmirësohet”, thuhet në raportin e BE-së.
Institucionet shtetërore shpesh neglizhojnë të marrin në konsideratë gjetjet e KSHPK-së, duke ulur efektin real të punës së tij.
“KSHPK-ja do të përfitonte nga punësimi i stafit të specializuar me përvojë hetimore për të përmirësuar verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe për të siguruar mbikëqyrje efektive të financimit të fushatës zgjedhore”, thekson raporti.
Në krahasim me raportin e BE-së për vitin 2024, gjendja e KSHPK-së jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar ndjeshëm, nga një institucion me performancë të kufizuar, në një institucion me integritet të goditur dhe besueshmëri të lëkundur.
Më tre dhjetor, ky institucion u bë me kryetar të ri. Adem Çuçul u zgjodh me 81 vota pro në Kuvend. Ai gjendet përballë sfidës për t’u përballur me imazhin e komisionit të diskredituar dhe të heshtur, të zënë në interpretimin dhe praktikimin e ngushtë të kompetencave të tij.
Gjegjësisht, gjashtë anëtarët e Antikorrupsionit, të udhëhequr nga revizorja shumëvjeçare Dimitrovska, nuk “hynë thellë” në rastet me profil të lartë që përfshinin kryeministrin dhe krerët e parë të policisë sekrete dhe Agjencisë së Inteligjencës.