A ka mbetur diçka pa ndërtuar? Kjo është një pyetje që banorët e Shkupit shpesh ia bëjnë vetes pas më shumë se dy dekada ndërtimi intensiv të ndërtesave të banimit dhe ndërtesave të larta në kryeqytet, të cilat e ndryshuan plotësisht pamjen e një numri të madh të lagjeve në të. Me kalimin e viteve shumë hapësira bosh, vende të braktisura, ish-komplekse industriale, parkingje të mëdha, madje edhe parqe funksionale janë shndërruar në zona ndërtimi. Lagjet me shtëpi ku jetonte nga një familje u bënë me shumë mini-ndërtesa me katër, tetë ose më shumë apartamente. Dendësia e popullsisë në shumë vende është rritur për disa herë, gjë që ka krijuar presion mbi trafikun rrugor, furnizimin me ujë, shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe përdorimin e hapësirës në përgjithësi, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Për disa herë janë rritur edhe të ardhurat e investitorëve të ndërtimit. Përgjigja më e shpeshtë e autoriteteve lokale për ndërtimin intensiv ishte se ata janë plotësisht të varur nga paratë që i marrin për shërbimet dhe nëse nuk do të ndërtohej ata nuk do të mund të investonin asgjë në komunë, pra nuk do të zbatonin asnjë projekt.
Askush deri më tani nuk ka dhënë përgjigje se çfarë do të ndodhë kur të shfrytëzohen të gjitha hapësirat për ndërtim. Por, për fatin e mirë të autoriteteve të reja lokale që e morën detyrën ose filluan mandatin e tyre të dytë në javët e fundit, ajo ditë nuk ka ardhur ende. Në katër vitet e ardhshme në Shkup ka disa vende që mund të bëhen zona të ndërtimit intensiv. Për disa kjo është e pritshme sepse tashmë janë përgatitur dokumentet e planifikimit, për të tjerët është vetëm një supozim, madje edhe spekulim.
PDU-ja e re për Vodnon
Plani i Detajuar i quajtur J07 (Jug 07, siç është shënuar lagje në Planin e Përgjithshëm Urbanistik të Shkupit) konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë në vend për shkak të sipërfaqes që mbulon dhe numrit të pronave individuale brenda tij.
Ai i përfshin lokalitetet Kapishtec, Entin e Rehabilitimit Mjekësor, Vodno e Vjetër, Vodno e Poshtme, Mallo Kurillo dhe Cveqara. Kjo është hapësira në zonën e ulët të Vodnos, mes Qendrës Klinike dhe Spitalit të Fëmijëve në Kozle dhe mes lagjes Kapishtec dhe fillimit të park-pyllit. Për dekada të tëra kjo ka qenë një nga zonat më tërheqëse dhe të shtrenjta në të gjithë vendin, një vend ku ndodhen pallati presidencial, numri më i madh i rezidencave diplomatike dhe shtëpitë e të pasurve. Çdo mundësi për ndërtim në këtë zonë tërheq vëmendje të madhe.
Në dy vitet e fundit mundësi të tilla nuk ka pasur sepse në janar të vitit 2023 Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi PDU-në e miratuar në vitin 2014, sepse nuk u votua nga një numër i mjaftueshëm i anëtarëve të këshillit komunal.
Se sa tërheqëse është kjo zonë tregon edhe fakti që PDU-ja bënte pjesë në rastet e ish-Prokurorisë Speciale Publike, siç janë “Parcelat në Vodno” dhe “Shuplakat në Komunën Qendër”, por lidhej edhe me arrestimin e ish-kryetarit të Këshillit, Mirosllav Shipoviq, përkatësisht ndalimi i tij u komentua si një përpjekje për t’i bërë presion që të votojë për PDU-në dhe t’i hapë mundësitë për ndërtim atje.
Mjaftonin tetë vjet që ky plan urbanistik ta ndryshonte hapësirën plotësisht- pjesët e poshtme tani janë plot me ndërtesa të larta, ndërsa në pjesët më të pjerrëta mbinë ndërtesa më të vogla të destinuara për banim individual.
Pas shfuqizimit komuna po përgatit një PDU të ri, i cili pritet të miratohet gjatë këtij mandati. Tani për tani nuk ka informacion se çfarë dispozitash do të përmbajë dhe çfarë lloj ndërtimi do të mundësojë, por investitorët e presin me padurim.

Fushë e mundësive apo e ndërtesave
Një tjetër plan urbanistik i detajuar që pritet të miratohet është ai për lagjen Rasadnik në Komunën e Kisella Vodës. Me një gjatësi prej rreth 700 metrash dhe gjerësi prej 400 metrash përgjatë Bulevardit Boris Trajkovski, Rasadnik është një nga hapësirat më të mëdha në Shkup që ende janë të pa ndërtuara.
Pjesa më e madhe e tokës atje është në pronësi private. Sipas të dhënave kadastrale disa prej parcelave kanë edhe nga njëzetë pronarë. Tek disa të tjera tashmë pronarë janë edhe kompani të ndërtimit, si “Bortas” dhe “MC Engineering”.
Në vitin 2020 Komuna nën udhëheqjen e kryetarit të atëhershëm të komunës, Filip Temellkovski, përgatiti një plan urbanistik të detajuar që parashikonte qindra ndërtesa të reja në këtë zonë. Banorët e asaj zone organizuan protesta dhe themeluan një iniciativë qytetare të quajtur “Rasadnik (fidanishte) i mundësive”, dhe kërkuan që plani të ndalohet dhe hapësira të shndërrohet në park.
Kur Temellkovskin e zëvendësoi Orce Gjorgjievski në vitin 2021, ai e ndaloi këtë iniciativë dhe dy vjet më vonë organizoi një konkurs ndërkombëtar për zgjidhje arkitekturore dhe urbane për hapësirën, në të cilin kishte dy projekte fituese, nga Kroacia dhe Greqia.
Siç tha atëkohë Gjorgjievski, me zgjidhjet sipërfaqet e gjelbra të kësaj hapësire do rriten nga 10 mijë në 100 mijë metra katrorë, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e banimit do të zvogëlohet nga rreth një milion në pak më pak se 200 mijë metra katrorë.
Se si do të duket më saktësisht hapësira do të bëhet e qartë pas përfundimit të PDU-së.
Toka e shitur përgjatë hekurudhës në Aerodrom
Ka zona në Shkup ku nuk ka fare Plan të Detajuar Urbanistik, por kompanitë e ndërtimit po pozicionohen. E tillë është zona përgjatë hekurudhës midis vendbanimeve Kisella Voda dhe Miçurin, në anën e Komunës së Aerodromit.
Në një shtrirje prej rreth 500 metrash pas shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” dhe pas ish-Fabrikës së Duhanit, ku u ndërtua kompleksi i madh “Porta Superium”, disa kompani ndërtimi tashmë janë bërë pronarë të tokës. Njëra prej tyre është “Manhattan Building” në pronësi të biznesmenit Cvetan Pandeleski, një tjetër është “Bisi” në pronësi të ish-zyrtarit të VMRO-DPMNE-së Ivica Georgievski, si dhe kompanitë “Ozon” dhe “Zoko Zoran”.
Ky lokacion nuk përmendet në dokumentet urbanistike në uebfaqen e Komunës së Aerodromit, ndërsa zona qëndron e zbrazët edhe në portalin GIS të komunës, ku mund të shihen më hollësisht kushtet për ndërtim në secilin vend. Megjithatë, siç kanë treguar edhe disa shembuj të mëparshëm, kur kompanitë e ndërtimit blejnë tokë kjo zakonisht do të thotë se do të shoqërohet me dokumentacion urbanistik që do t’u mundësojë atyre të ndërtojnë.

Karposhi mbi ujë apo fjalë boshe?
Ndryshe nga lokacionet e tjera ku ka argumente reale se ndërtimi mund të fillojë së shpejti (përgatitet një PDU, ndërtuesit po pozicionohen), projekti i ashtuquajtur “Karposhi mbi ujë” tashmë për disa vite po jeton vetëm në fushën e spekulimeve.
Bëhet fjalë për një teori se pranë Vardarit në Komunën e Karposhit, diku në segmentin prej rreth dy kilometrash midis sallës “Boris Trajkovski” dhe derdhja e Lepencit në Vardar, do të ndërtohet një numër i madh rrokaqiejsh me një projekt të ngjashëm me Beogradin mbi ujë në Serbi, i cili shkaktoi shumë polemika në kryeqytetin e këtij vendi fqinj.
Për “Karposhin mbi ujë” po flitet që nga viti 2019, kur administrata e atëhershme komunale e udhëhequr nga kryetari i komunës Stefan Bogoev publikoi një demant se ai së bashku me prezantuesin Bojan Jovanovski po përgatisnin një projekt të tillë.
“Nuk ka asnjë projekt “Karposhi mbi ujë” në asnjë program të Komunës së Karposhit, as në programin zgjedhor të kryetarit të komunës Stefan Bogoev. Në këtë drejtim nuk është miratuar ose ndryshuar asnjë PDU, i cili është gjithashtu i disponueshëm dhe mund të shihet në uebfaqen tonë”, thuhet në demant.
Por projekti nuk u harrua. Këtë verë kur në këtë zonë shpërtheu një zjarr, partia DOM lëshoi një kumtesë ku pyeste nëse kjo ishte “faza zero” e projektit.
Historinë e “Karposhit mbi ujë” e përdori edhe kryetari i mëparshëm i komunës, Stevço Jakimovski, në fushatën e tij për rizgjedhje, duke e akuzuar kundërshtarin e tij Sotir Llukrovski (nga i cili pësoi humbje) se e mbështet projektin.
“E përderisa disa ëndërrojnë për rrokaqiej përgjatë Vardarit – unë shoh një katastrofë në horizont. Imagjinoni 45 ndërtesa “a la Xhevahir”, mijëra banorë të grumbulluar përgjatë lumit, kaos trafiku dhe beton në horizont. Ky nuk është vizion – kjo është një pangopësi në formë ndërtimi. Karposhi nuk do të bëhet zonë qiraje e dikujt. Bregu i lumit do të mbetet një hapësirë për rekreacion, shoqërim dhe sport”, thoshte Jakimovski në fushatë.
Çfarë dihet për këtë hapësirë, domethënë çfarë nuk është spekulim? Pjesa më e madhe e tokës është në pronësi të shtetit, por ka disa parcela më të mëdha që janë private dhe u përkasin më shumë pronarëve. Ka edhe pjesë që u përkasin kompanive të ndërtimit, siç janë “Trend Construction” dhe SMS Shops.
Për këtë zonë nuk ka Plane të Detajuara Urbanistike, ndërsa në Planin e Përgjithshëm Urbanistik është e shënuar si zonë me gjelbërim. Megjithatë, PPU është në fazë të ndryshimit, kështu që teorikisht, nëse zona shndërrohet në zonë ndërtimi, shumë shpejt mund të jenë gati edhe planet e detajuara. Duke pasur parasysh se kandidatët nga e njëjta parti politike fituan si në Qytetin e Shkupit (i cili e përgatit PPU-në) ashtu edhe në Komunën e Karposhit (e cila është përgjegjëse për PPU-të), midis këtyre dy autoriteteve nuk pritet konflikt pa dallim se çfarë zgjidhjesh do të parashikojnë për këtë lokacion.

Mur i ri përgjatë bulevardit
Ideja për “Karposhin mbi ujë” mbase kufizohet me një teori konspiracioni, por nëse do të harmonizoheshin Planet e Përgjithshme dhe të Detajuara Urbanistike një lokacion tjetër në Komunën e Karposhit mund të bëhet shumë më lehtë zonë ndërtimi. Kjo është hapësira aktuale e gjelbër përgjatë Bulevardit Ilinden, mes Kopshtit Zoologjik dhe kryqëzimit me Bulevardin 8 Shtatori, pranë sallës “Boris Trajkovski”.
Në këtë segment të gjatë mbi 400 metra, në anën veriore të bulevardit, pranë Parkut të Qytetit dhe fidanishteve të ndërmarrjes publike “Parqe dhe Gjelbërim”, me Planin e Detajuar Urbanistik të vitit 2012 janë paraparë 12 ndërtesa afariste ose banesore-afariste në gjashtë blloqe, secila nga gjashtë ose shtatë kate e lartë. Kjo do të thotë se kjo pjesë e bulevardit do të ketë ndërtesa të larta në të dyja anët.
Kompanitë e ndërtimit, si “Madal Bal”, “SMS Shops” dhe “ZSF Kom”, prej kohësh e kanë zënë hapësirën, por lejet nuk po lëshohen sepse sipas një shpjegimi nga komuna PDU nuk është në përputhje me planin rregullues të PPU-së. Në përkthim kjo do të thotë që rrugët dhe zgjidhjet e trafikut nuk janë planifikuar siç duhet dhe nuk korrespondojnë me zgjidhjet e Planit të Përgjithshëm, i cili është më lart në hierarki.
Përgatitja e një plani të ri për këtë hapësirë është përfshirë në programet vjetore të Komunës së Karposhit për vite me radhë, por nuk është publikuar një version i ri. Duke pasur parasysh që tani po përgatitet një PPU i ri, hapet mundësia e eliminimit të pengesave.
Edhe një fabrikë për “prodhimin” e apartamenteve
Në dekadat e fundit zonat e vjetra industriale kanë qenë një cak i shpeshtë i investitorëve të ndërtimit, siç është shembulli i ish-fabrikës “Treska”, “Cvetan Dimov”, “Alumina” dhe të tjera. Në disa nga këto raste pati iniciativa të pasuksesshme për t’i shndërruar hapësirat në parqe, qendra kulturore ose të mira të tjera publike.
I tillë është rasti me ish-“Кuprom” në Gjorçe Petrov. Rreth pesë vjet më parë pati një ide për t’i shndërruar ndërtesat e vjetra që po rrënoheshin në një vend për art dhe kulturë, por kjo nuk u realizua.
Hapësira vazhdon të rrënohet dhe po shkakton shqetësim tek banorët përreth për shkak të kushteve johigjienike, neglizhencës dhe ndjenjës së pasigurisë.
Toka prej rreth 21 mijë metrash katrorë është në pronësi të shtetit, por katër objekte të ish-fabrikës janë në duart e një kompanie ndërtimi dhe një kompanie për pasuri të patundshme, duke sinjalizuar kështu një hyrje të qetë të ofensivës së ndërtimit edhe në këtë zonë. Ajo që pritet është vetëm përgatitja e një Plani të Detajuar Urbanistik në Komunën Gjorce Petrov. Në Planin e Përgjithshëm zona tashmë është e rezervuar për banim.
Ndryshe, brenda një muaji në Maqedoninë e Veriut janë dhënë 314 leje ndërtimi për objekte në vlerë prej 7 14 419 000 denarë. Kjo vlerë është më e madhe sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
“Nga numri i përgjithshëm i lejeve të dhëna për ndërtim 220 (70.1%) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 38 (12.1%) për objektet e ndërtimit të ulët dhe 56 ( 17.8 %) për objektet për rikonstruim”, sqaroi Enti Shtetëror i Statistikave, duke theksuar se në këto leje planifikohjet ndërtimi i 727 banesave.
Më së shumti leje ndërtimi (72.9 %) janë dhënë për personat fizik, ndërsa në rajonin e Pollogut ka pasur më së shumti leje (98).
Krahasuar me shtatorin e kaluar, numri i lejeve është rritur për 6.1 përqind, ndërsa vlera e investimeve është rritur për 5.2 përqind.