Ansambli kroat “Lado” sonte prezantohet me koncert në Operën dhe Baletin Nacional të Shkupit

Sonte (e martë) me fillim nga ora 19:30 në Operën dhe Baletin Nacional në Shkup, do të mbahet koncert nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Kroate “Lado”. Mysafir i koncertit do të jetë ansambli maqedonas “Tanec”, shkruan Portalb.mk.

Në gamën e koncerteve të larmishme që “Lado” zhvillon gjatë gjithë vitit, më të shkëlqyerat janë programet e vallëzimit në të cilat mund të shihet e gjithë shkëlqimi i ansamblit.

Këtë vit, “Lado” ka përgatitur program që e çon audiencën në udhëtim nëpër rajone të ndryshme të Republikës së Kroacisë dhe hapësira të tjera ku jetojnë kroatët.

Me performancë të valleve popullore, llojeve të ndryshme të këngëve dhe praktikave muzikore, instrumenteve, dialekteve dhe ngjyrave të shumta të kostumeve popullore, “Lado” ju çon nëpër trashëgiminë e pasur kulturore në të cilën vallet, këngët dhe muzika krijojnë art folklorik me stil autentik që “Lado” e ka kultivuar dhe zhvilluar për 76 vjet.

Koncerti bashkëfinancohet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave e Republikës së Kroacisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Republikës së Kroacisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut.