Ansambli “Ibe Palikuqi” shënoi 47-vjetorin, u dekorua nga Presidentja Vjosa Osmani me Medaljen Presidenciale të Meritave
Me rastin e 47-vjetorit të themelimit, Ansambli “Ibe Palikuqi” ka shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë e tij, duke u nderuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën shqiptare, shkruan Portalb.mk.
Ky vlerësim i lartë e bën Ansamblin “Ibe Palikuqi” ansamblin e vetëm nga Maqedonia e Veriut që ka marrë një dekoratë të tillë, duke i dhënë këtij përvjetori një peshë të veçantë dhe emocionale për të gjithë artdashësit dhe ata që ndër vite kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij.
Medalja u pranua me krenari nga kryetari i ansamblit, Vebi Amza, ndërsa në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm edhe Nazif Bushi dhe Muhamet Haziri.
Kryetari i Ansamblit “Ibe Palikuqi”, Vebi Amza, përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas pranimit të dekoratës nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si një ditë të veçantë dhe të paharrueshme për të dhe për gjithë ansamblin.
Në postimin e tij, Amza ka theksuar se me ndjenjë të thellë krenarie dhe mirënjohjeje, në emër të Ansamblit ka pranuar dekoratën presidenciale për punën e palodhshme ndër vite, duke theksuar se ky rrugëtim nis që nga koha e Jugosllavisë e deri më sot. Ai ka vlerësuar se kjo mirënjohje nuk u takon vetëm drejtuesve apo anëtarëve aktualë, por çdo brezi që ka kontribuar me përkushtim, dashuri dhe sakrificë në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës kombëtare.
“Është një dëshmi e fuqishme se arti, tradita dhe identiteti ynë jetojnë dhe vazhdojnë të shkëlqejnë”, ka shkruar Amza në Facebook.
Sipas tij, ky vlerësim për Ansamblin “Ibe Palikuqi”, të cilin e cilëson si ansamblin më të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut, është një motiv shtesë për të vazhduar misionin me përulësi dhe përgjegjësi.

Amza ka shprehur edhe emocionet personale për këtë moment të rëndësishëm, duke thënë se ndihet i privilegjuar dhe thellësisht mirënjohës që pati mundësinë të përfaqësojë një vlerë kaq të madhe kulturore.
Në fund të postimit, ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rrugëtimit të Ansamblit “Ibe Palikuqi”, duke theksuar se bashkë do ta çojnë edhe më lart emrin e ansamblit dhe kulturën shqiptare.
Për dekada me radhë, Ansambli “Ibe Palikuqi” ka qenë një ambasador i denjë i traditës shqiptare, duke promovuar vlerat kombëtare përmes këngës, valles dhe artit skenik në shumë skena brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Breza të tërë artistësh kanë dhënë kontribut të çmuar për ta mbajtur gjallë këtë institucion të rëndësishëm kulturor.
Ky dekorim vlerësohet si dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe dashurisë për artin që e ka karakterizuar ansamblin gjatë gjithë veprimtarisë së tij.
Me këtë rast, u përcollën edhe urime për përvjetorin e 47-të, me shpresën që rrugëtimi i Ansamblit “Ibe Palikuqi” të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera me të njëjtin pasion, dinjitet dhe sukses.
