Anima Mundi: Temperaturat e larta sjellin rreziqe të mëdha për kafshët

Shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” u bën apel qytetarëve dhe institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa për mbrojtjen e kafshëve në kushte të valës së të nxehtit, transmeton Portalb.mk.

Nga atje paralajmërojnë se temperaturat jashtëzakonisht të larta paraqesin rrezik serioz për kafshët endacake, kafshët që mbahen në ambiente të hapura, kafshët e fermave, si dhe për kuajt, gomarët dhe kafshët e tjera që përdoren për punë.

Ekspozimi i zgjatur ndaj të nxehtit mund të shkaktojë dehidrim, goditje nga të nxehtit, madje edhe ngordhje.

Nga “Anima Mundi” u bëjnë thirrje qytetarëve të lënë ujë të freskët në vende të qasshme dhe me hije pranë shtëpive, ndërtesave të banimit dhe vendeve të punës.

Shoqata rikujton se një kafshë nuk duhet të lihet kurrë në një automjet të parkuar, qoftë edhe vetëm për disa minuta, pasi temperatura në një makinë të mbyllur mund të arrijë vlera të rrezikshme brenda një kohe shumë të shkurtër.

Njëkohësisht, “Anima Mundi” i bëri apel Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, inspektorateve lokale dhe shërbimeve të tjera kompetente inspektuese që të zhvillojnë kontrolle të shtuara dhe të veprojnë në mënyrë të rreptë për të gjitha denoncimet.

“Në kushte të temperaturave ekstreme, mbrojtja e kafshëve varet nga veprimi i përgjegjshëm dhe në kohë, si i institucioneve, ashtu edhe i çdo individi”, porosisin nga shoqata.

Për shkak të temperaturave të larta që priten deri më 7 gusht, Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u bëri apel qytetarëve të ndërmarrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit. Rreziku më i madh nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta dhe diellit direkt është në periudhën prej orës 11:00 deri në 17:00.