Andonovski: Regjistrimi i të porsalindurve do të jetë plotësisht i automatizuar nga viti i ardhshëm

Nga janari i vitit të ardhshëm, regjistrimi i një të porsalinduri, pra lëshimi i certifikatës së parë të lindjes, do të jetë plotësisht i automatizuar, informon ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski. Projekti “E-bebe”, siç informon zyra e Andonovskit, parashikon që prindërit të marrin certifikatën e parë në spital, jo më vonë se 48 orë pas lindjes së foshnjës, transmeton Portalb.mk.

“Që nga fillimi i vitit, Ministria e Transformimit Digjital ka formuar një grup pune midis disa institucioneve, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë për menaxhimin e librave amë, Ministrinë e Shëndetësisë – Drejtorinë për Shëndetësinë Elektronike dhe institucionet përkatëse të shëndetit publik, për të arritur automatizim të plotë në lëshimin e certifikatës së parë të lindjes për të porsalindurit”, informon Ministria e Transformimit Digjital.

Ata shtojnë se përmes Platformës Kombëtare të Ndërveprimit dhe Portalit Kombëtar të Shërbimeve – uslugi.gov.mk, të gjitha institucionet e përfshira në proces janë të lidhura.

“Në fazën e dytë të projektit, do të lidhen shërbimet e sigurimit shëndetësor nga Fondi i Shëndetësisë, si dhe shërbimet e ndihmës për të porsalindurit të lëshuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë”, tha ministria, duke shtuar se prindërit do të duhet të kenë një profil të nivelit të ulët në Portalin Kombëtar të Shërbimeve – uslugi.gov.mk.

Projekti “E-Bebe” mbështetet nga zyra e UNICEF-it.