ANALIZË: Vetëm gjashtë komunat me borxhe më të mëdha në RMV kanë borxh prej 36 milionë eurosh (Infografik)

Në listën e re të borxhlinjve, në 50 komunat me borxh më të madh gjenden gjashtë komuna dhe Qyteti i Shkupit dhe detyrimet e tyre llogariten në miliona euro. Jo vetëm komunat, por edhe ndërmarrjet publike të themeluara nga vetë autoritetet lokale raportuan shuma të mëdha të borxhit. Në tremujorin e parë të vitit, të dhënat e reja të Ministrisë së Financave tregojnë se totali i borxhit të brendshëm të të gjitha komunave arrin në 64,1 milionë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Borxhet e komunave dhe të ndërmarrjeve publike të tyre!

Me shumën më të lartë të prapambetura, por të papaguara është Komuna e Tetovës, e cila renditet e 7-ta në listën e re të borxhlinjve. Borxhi i deklaruar i komunës arrin në 14,1 milionë euro. Borxh prej 5,8 milionë eurosh ka raportuar edhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” – Tetovë. Në territorin e kësaj komune borxh prej 161.000 euro ka raportuar edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, një shkollë fillore, Gjimnazi i Tetovës, NP “Parkingu i qytetit” Tetovë.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara - komunat. Infografik nga Portalb.mk
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara. Infografik nga Portalb.mk

Me një shumë të borxhit prej 8 milionë eurosh, në vend të dytë është Komuna e Gostivarit, e cila renditet e 12-ta në listën e borxhlinjve. Borxh prej 3,7 milionë eurosh ka raportuar edhe Ndërmarrja Publike “Komunalec” nga Gostivari, detyrime të papaguara në territorin e kësaj komune kanë edhe Spitali i Përgjithshëm – Gostivar, shkollat fillore, NP “Parkingjet dhe Gjelbërimi”, Gjykata Themelore – Gostivar.

Në vend të tretë për nga borxhet është Komuna e Ohrit e cila renditet në vendin e 13-të, dhe ka raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerën prej 6,3 milionë euro. Borxh prej 6 milionë eurosh ka raportuar edhe NP “Ujësjellësi” – Ohër, ndërsa në listën e borxhlinjve nga territori i kësaj komune janë edhe Spitali i Përgjithshëm i Ohrit, Klinika “Shën Naum i Ohrit” dhe NP “Komunalec” Ohër.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara - ndërmarrjet publike. Infografik nga Portalb.mk
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara – ndërmarrjet publike. Infografik nga Portalb.mk

Në vend të katër për nga borxhet është Komuna e Dellçevës e cila në fund të muajit mars ka raportuar detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 3,1 milionë euro. Një borxh prej gati 374 mijë eurosh ka raportuar edhe NPK “Bregallnica”. Sipas shumës së borxhit, kjo komunë renditet e 26-ta në listën e re të borxhlinjve.

Komuna e Strugës me një shumë prej 2,5 milionë eurosh, detyrime të prapambetura, por të papaguara në fund të tremujorit të parë ekonomik, është komuna e pestë me borxh më të madh, dhe renditet në vendin e 32-të. Është interesante se NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Strugë ka borxh më të madh se vetë komuna, gjegjësisht në fund të marsit kjo ndërmarrje publike ka raportuar gati 3,5 milionë euro detyrime të prapambetura, por të papaguara. Në territorin e kësaj komune, Spitali i Përgjithshëm i Strugës ka një borxh prej 1,9 milionë eurosh, ndërsa në listën e borxhlinjve është edhe NP “Komunalno” – Strugë, Enti i Nefrologjisë – Strugës, më shumë se një duzinë shkollash fillore, si dhe burgu i Strugës – ShNK i llojit të hapur

Në grupin “50 institucioneve me borxh më të madh” është edhe Komuna e Prilepit, e cila është në pozitën e 49-të, me detyrime të papaguara të raportuara prej 1,7 milionë eurosh. Në territorin e kësaj komune borxh prej 2,1 milionë eurosh ka raportuar Spitali i Përgjithshëm i Prilepit, ndërsa fatura të papaguara kanë edhe ENK “Burgu i Prilepit”, NPK “Komunalec” – Prilep.

Borxhi i përgjithshëm i vetëm këtyre gjashtë komunave me borxhe më të mëdha – Tetovës, Gostivarit, Ohrit, Dellçevës, Strugës dhe Prilepit, në tremujorin e parë ka qenë gati 36 milionë euro, që paraqet më shumë se gjysmën e borxhit të përgjithshëm të të gjitha komunave në vend.

Borxhe prej gati ose më shumë se 1 milionë euro kanë edhe Komuna e Haraçinës me borxh prej gati 1 milionë euro, Gjorçe Petrovi me gati 1,1 milion euro, Komuna e Likovës me 1,2 milion euro, Komuna e Dibrës me gati 1,3 milion euro borxh, Komuna e Çairit me borxh prej gati 1,4 milionë euro, komuna e Sarajit me 1,4 milionë euro borxh, komuna e Kërçovës me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 1,5 milionë euro dhe komuna e Vasilevës me borxh prej 1,5 milionë euro.

Qyteti i Shkupit në fund të muajit mars të këtij viti ka raportuar detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej afro 3 milionë eurosh dhe sipas shumës së borxhit është në vendin e 28-të në listën e re të borxhlinjve. Në listën e re të borxhlinjve, siç njofton “Portalb”-i, janë 944 institucione shtetërore dhe lokale, ministri, agjenci, shkolla, spitale, ndërmarrje publike, firma shtetërore, ndërsa totali i borxhit të brendshëm në fund të marsit të këtij viti ka arritur në 441 milionë euro, që paraqet një rritje prej 22,7 milionë eurosh krahasuar me situatën në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.