ANALIZË: Borxhi i shtetit ndaj sektorit privat, qytetarëve dhe organizatave joqeveritare ka tejkaluar 305 milionë euro (Infografik)

Pothuajse 300.000.000 euro janë detyrimet e prapambetura dhe të papaguara të kompanive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në pronësi shtetërore. Përveç tyre, rritje të borxheve në nivel tremujor ka edhe në shëndetin publik. Të dhënat e Ministrisë së Financave për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se borxhi i brendshëm i shtetit, gjegjësisht totali i “faturave” të prapambetura dhe të papaguara, arrin në pothuajse 675.000.000 euro dhe për tre muaj është rritur për 9.200.000 euro.  Detyrimet e prapambetura dhe të papaguara të shtetit ndaj sektorit privat janë rritur për më shumë se 10 milionë euro, duke tejkaluar shifrën 305.000.000 euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

 Shëndeti publik ka borxhe prej më shumë se 107.000.000 milionë euro, ndërsa kompanitë shtetërore dhe ndërmarrjet private mbi 219.000.000 euro…

Ndërmarrjet publike dhe kompanitë në pronësi shtetërore, si dhe shëndeti publik, e nisën vitin me borxhe të krijuara rishtazi. Këta dy sektorë, të cilët kryesojnë për nga shuma e borxheve, vetëm për tre muaj, ose në mars të këtij viti krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar kanë krijuar detyrime të reja, milionëshe. Ndërmarrjet publike dhe kompanitë në pronësi shtetërore në fund të tremujorit të parë ekonomik raportuan detyrime të prapambetura, por të papaguara në shumën prej 219.112.260 eurosh, që është për 16.602.000 euro më shumë se gjendja në fund të tremujorit të fundit të vitit të kaluar, kur borxhi i prapambetur, por i papaguar arriti në 274.510.576.

Rritje ka edhe te borxhet e prapambetura, por të papaguara të shëndetit publik – në fund të marsit shuma ishte pak më shumë se 107.650.000 euro, ndërsa në fund të dhjetorit të vitit të kaluar borxhi arriti në 102.960.100 euro, ose një rritje prej rreth 4.700.000 eurosh.  Totali i detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara të komunave në tremujorin e parë arriti në 85.891.901, ndërsa ndërmarrjet publike komunale raportuan borxh në vlerë prej 107.650.552 euro, me ç’rast ka një rënie tremujore në të dy sektorët.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Llogaritja e bazuar në të dhënat tregon se vetëm komunat dhe ndërmarrjet publike të themeluara dhe të menaxhuara nga komunat, në fund të marsit raportuan se kishin detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej mbi 107.650.000 eurosh. Shuma më e lartë e borxhit u raportua nga vetë sektori publik, në fund të marsit, detyrimet “e brendshme” ndërinstitucionale të papaguara arritën në pothuajse 337.000.000 euro, e përveç kësaj, edhe 113.000.000 euro të tjera do të maturojnë për pagesë gjatë këtij viti. Vetëm për tre muaj, është rritur edhe borxhi ndaj sektorit privat, nga 294.885.000 euro në fund të dhjetorit në mbi 305.000.000 euro në fund të marsit, që paraqet një rritje prej mbi 10 milionë eurosh.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shteti ka detyrimet më të mëdha të prapambetura, por të papaguara, në bazë të shërbimeve komunale, ngrohjes, transportit në vlerë prej gati 131.500.000 eurosh dhe për prokurimin e materialeve dhe inventarit në vlerë prej gati 108.000.000 eurosh. Në bazë të “objekteve ndërtimore” borxhi i prapambetur dhe i papaguar arrin në 56.336.000 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Borxhi total i brendshëm i shtetit gjatë vitit të kaluar është rritur, duke arritur në pothuajse 675.000.000 euro në fund të marsit dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur për 24.231.000 euro.