ANALIZË: Mbi 72% e deficitit buxhetor është “shpenzuar” për 4 muaj, po planifikohet ribalancim i buxhetit (Infografik)
Tre muajt e parë të këtij viti ekonomik përfunduan me të ardhura buxhetore më të ulëta se sa ishin planifikuar dhe shpenzime buxhetore brenda kornizës së planifikuar. Qeveria ka njoftuar tashmë se do të ketë ribalancim të buxhetit të vitit 2026. Sipas ekonomistëve dhe matjeve të deritanishme statistikore, vlerësimet aktuale të inflacionit prej 2,5% dhe rritjes së PBB-së prej 3,9% tashmë janë të diskutueshme. Mbi 72% e deficitit buxhetor të planifikuar për gjithë vitin 2026 është shpenzuar për katër muaj, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Buxheti i ri i ribalancuar do të ketë inflacion më të lartë dhe rritje më të ulët të PBB-së?
Kriza ekonomike e marsit për shkak të frontit të ri ushtarak në Lindjen e Mesme u përhap edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Edhe muaji maj filloi me rreziqet e presioneve të çmimeve. Sipas analistëve, tashmë është e sigurt se ky gjysmëvjetor i parë ekonomik do të jetë “i dështuar” për sa i përket inflacionit të planifikuar dhe rritjes ekonomike, e cila sipas tyre do të jetë më afër 3% se sa 4%.
“Pritet që rritja ekonomike për këtë vit të jetë 3,3% (3,6% në anketën e mëparshme) dhe 3,5% në vitin 2027 (3,8% në anketën e mëparshme). “Për vitin 2028, pritet përshpejtim i mëtejshëm i rritjes, i cili do të arrinte në 3,7%”, vlerësojnë ekonomistët në Anketën e BPM-së.
Edhe Qeveria njoftoi për një ristrukturim të thesarit të shtetit, duke vlerësuar se kjo është një procedurë e zakonshme gjatë periudhës së verës. Sipas informacioneve të konfirmuara, ribalanci i buxhetit është në fazën e tij përfundimtare dhe procedura e miratimit nga qeveria pritet të fillojë këtë javë, pas së cilës do t’i dërgohet Parlamentit.
Të dhënat e fundit të Thesarit tregojnë se në nivel tremujor ka dështim në realizimin e të ardhurave buxhetore, ndërsa shpenzimet janë brenda kuadrit të planifikuar tremujor. Deficiti buxhetor vetëm për katër muaj arrin në 469.707.800 euro, ose më shumë se për këtë periudhë është “shpenzuar” 72% e deficitit vjetor të planifikuar. Sipas Qeverisë, të ardhurat tatimore parashikohen në një nivel më të lartë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa përqindja e realizimit në nivel tremujor ishte tipike për këtë periudhë të vitit.
“Tani për tani, nuk ka vend për panik. Qytetarët duhet të jenë të sigurt dhe të rehatshëm, ka kush që mendon dhe udhëheq politika të qëndrueshme. Në këtë moment, Maqedonia nuk është më një vend që shkon zvarrë, por përkundrazi pasqyron stabilitet në rajon dhe kështu edhe do të vazhdojmë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të tremujorit të parë, të ardhurat totale buxhetore arritën në 1.318.900.000 euro, ose pati një realizim tremujor prej 21,67%, një nivel që është më i ulët për rreth 4% krahasuar me kornizën tremujore të realizimit prej 25%.
Nga ana e të ardhurave, nivel më të ulët të realizimit prej 18,55% ka te akcizat, ndërsa nga arkëtimi i TVSH-së në thesarin e buxhetit u mblodhën 304.707.800 euro, që paraqet një realizim prej 20,29%, ndërsa realizimi te tatimi mbi të ardhurat personale është 21,16% ose 133.247.000 euro.
Realizimi i të ardhurave nga tatimi mbi fitimin arrin në 25,39%.

Për tre muaj, shpenzimet e shtetit arritën në gati 1.727.000.000 euro, ose realizimi ishte 25,68%. Deficiti buxhetor në periudhën e analizuar arriti në 308.100.700 euro ose 64,07% e planit për gjithë vitin ekonomik. Megjithatë, sipas të dhënave nga “Financat e hapura”, deficiti në thesarin e buxhetit u rrit edhe gjatë prillit, kështu që në fund të muajit të katërt arriti në 469.707.800 ose mbi 72% krahasuar me planin vjetor.
Sipas LSDM-së opozitare, thesari i shtetit po përballet me problem, kurse mungesa e parave do të tejkalohet me huamarrje të reja.
“Qeveria jo vetëm që nuk arrin të sigurojë më shumë të ardhura, por edhe refuzon t’i mbështesë qytetarët në kohë krize, nuk ka rritje të rrogave dhe pensioneve, nuk pranon rritje të rrogës minimale prej 600 eurosh dhe nuk ka masa për të mbrojtur standardin e jetesës”, theksojnë nga LSDM-ja.
Pas FMN-së edhe Banka Botërore i uli parashikimet për rritjen ekonomike të ekonomisë sonë në 2,9%.