ANALIZË: Borxhi i papaguar i shtetit ndaj sektorit privat pothuajse 241 milionë euro
Borxhi i arrirë por i papaguar i shtetit ndaj “personave fizikë” për tre muaj është rritur me tempon më “të shpejtë”, ndërsa borxhi i shtetit ndaj sektorit privat arriti në 241 milionë euro me një rritje prej 40 milionë euro për tre muaj. Shuma më e madhe e borxhit, 124 milionë euro, është për shërbime komunale, ngrohje, komunikim, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Borxhe ndaj sektorit privat, personave fizikë, ndaj shteteve të huaja
Sipas shumës së kërkesave ndaj shtetit, i pari në listë është sektori publik, gjegjësisht borxhi i brendshëm ndërinstitucional, i cili në fund të muajit mars arriti në 369.3 milionë euro. Borxhi i shtetit ndaj “sektorit publik” krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar është zvogëluar për 16.6 milionë euro. Por detyrimet e arrira dhe të papaguara të shtetit ndaj sektorit privat, ndaj personave fizikë dhe ndaj vendeve të huaja po rriten. Vetëm në tre muaj, ose në fund të tremujorit të parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, detyrimet e arrira por të papaguara ndaj sektorit privat (shoqatave civile, organizatave jofitimprurëse) arritën në pothuajse 241 milionë euro.
Portalb.mk bëri një krahasim të borxheve me gjendjen në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe të dhënat tregojnë se në tre muaj detyrimet e shtetit ndaj sektorit privat janë rritur për pothuajse 40 milionë euro.
Detyrimet e arrira dhe të papaguara të shtetit ndaj shteteve të huaja në fund të muajit mars i tejkaluan 38, 8 milionë euro, që është për 2 milionë euro më shumë krahasuar me gjendjen në fund të muajit shjetor të vitit të kaluar.
Borxhi i shtetit ndaj personave fizikë arriti në 2,7 milionë euro dhe për 3 muaj është rritur për pothuajse gjysmë milioni euro. Krahasuar me gjendjen paraprake, i shprehur në përqindje, borxhi ndaj personave fizikë është rritur me normën më të madhe.

Mbi çfarë baze dhe për çfarë ka borxhe shteti
Borxhin më të madh shteti e ka ndaj ndërmarrjeve komunale, energjetike dhe atyre të telekomunikacionit, gjegjësisht detyrimet e arrira e të papaguara në bazë të shërbimeve komunale, ngrohje, transport, komunikime kanë arritur në 124 milionë euro. Borxhi i arrirë në bazë të kapitalit deri te nivelet e tjera të pushtetit i tejkaloi 88,5 milionë euro.

(kuartali i parë i 2025), infografik nga Portalb.mk
Në bazë të objekteve ndërtimore dhe punë të tjera ndërtimore borxhi i arrirë e i papaguar ka arrirë pothuajse 46,2 milionë euro, ndërsa shuma e detyrimeve të arrira për interes mbi të gjitha bazat është 14,6 milionë euro. Në bazë të “shpenzimeve të tjera rrjedhëse” shteti ka borxh prej 70,7 milionë euro, ndërsa për “shërbime të kontraktuara“ 51,3 milionë euro. Në fund të tremujorit të parë ekonomik borxhi i “brendshëm” i të gjithë sektorëve dhe institucioneve në nivel lokal dhe qendror i tejkaloi 651 milionë euro dhe siç publikoi “Portalb” është rritur për 25,5 milionë euro.