Marshi i familjarëve të viktimave në Koçan: Nënat lexuan aktakuzën e tyre, që përfshin edhe zyrtarë aktualë dhe policë

Prindërit e fëmijëve që vdiqën në zjarrin e 16 marsit në diskotekën “Puls” lexuan publikisht të gjitha ligjet që prokurorët duhej të ndiqnin, sepse hetimi i prokurorisë nuk përfshiu zyrtarët aktual dhe policinë. Nga 73 të dyshuarit fillestarë, hetimi u mbyll me 46, familjet u kërkuan prokurorëve të ndiqnin provat, pavarësisht se kujt i bie përgjegjësia. Diskoteka kishte punuar ilegalisht për një vit të tërë, dhe ata mbyllën sytë ndaj kësaj. Nënat e pikëlluara njoftuan se do të kërkojnë drejtësi në nivel ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk.

Familjet e viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls”, të pakënaqura me hetimin e mbyllur, i thanë Prokurorisë Publike: “Ne nuk jemi as të verbër as të shurdhër, u pamë, njihemi dhe nuk do të heshtim.”

Në protestën e fundit “Marshimi i Engjëjve” para stacionit të policisë dhe Prokurorisë në Koçan, nënat thanë se kishin lexuar të gjitha ligjet sipas të cilave hetimi duhej të kishte përfshirë zyrtarët aktualë: ministrin e Ekonomisë, drejtorin e Inspektimit të Tregut, shefat dhe oficerët e policisë nga policia e Shtipit.

“Nuk ishte aksident, ishte një vrasje masive dhe ne nuk po kërkojmë mëshirë, ne po kërkojmë drejtësi për çdo fëmijë që nuk do të kthehet, për çdo nënë që përqafon ajrin në vend të të dashurit të saj. Mos e mbroni policinë, mos e mbroni fajtorin, jini njerëz nëse ju ka mbetur diçka njerëzore. Dhimbje e përjetshme për ne, përgjegjësi e përjetshme për ju”, tha një nënë para stacionit të policisë në Koçan.

Fletët e shkruara ishin mbi fotografitë e fëmijëve që humbën në zjarr. Me guxim, pa derdhur asnjë lot, nënat, pas thirrjes për përgjegjësi institucionale, fishkëllyen prokurorët për drejtësi selektive.

“Atë mbrëmje, më 16 mars, u hap një vend me një licencë të falsifikuar, me vend për 30 persona dhe 600 persona brenda. Nga lakmia për para, shefi përbindësh, një jonjeri, i tuboi fëmijët tanë brenda si bagëti, policia mbylli derën, e mbajti, fëmijët brenda luftuan për jetën e tyre, vrapuan drejt derës dhe ata, policia, menduan se po iknin për shkak të kontrollit. Ata që duhej t’i mbronin janë fajtorët më të mëdhenj – policia, inspektorët, shefi dhe sigurimi. Tani disa prej tyre ecin lirshëm me kokën lart, pa turp, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, por ne nuk jemi naivë, as budallenj, nuk i dëshirojmë askujt të keqe. Le ta vendosin veten në vendin tonë vetëm për një minutë, le ta imagjinojnë fëmijën e tyre pas asaj dere, para flakëve, duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmë” tha një nënë tjetër.

Ato pyetën se si mund të ketë funksionuar diskoteka për një vit me një licencë të falsifikuar, kur sipas Ligjit për Veprimtaritë e Hotelerisë, Ministri i Ekonomisë duhet ta njoftojë pronarin me email ose SMS se licenca kishte skaduar.

– Kërkojmë përgjigje dhe llogaridhënie – një nënë tjetër drejtoi gishtin e përgjegjësisë tek zyrtarët aktualë në ZAP, ku, pavarësisht se kishin një llogari të bllokuar për aq kohë sa 217 ditë dhe nuk lëshonin fatura fiskale, autoritetet tatimore nuk e kanë mbyllur kabarenë e vdekjes.

Përgjegjësi u kërkua nga shefi aktual i policisë në Shtip dhe nga oficerët e policisë që ishin në kontroll atë natë fatale.

Prindërit lexuan të gjitha ligjet sipas të cilave policia duhej ta kishte mbyllur objektin shumë kohë më parë. Protesta përfundoi paqësisht dhe prindërit u shoqëruan nga bashkqytetar tjerë.

Prokuroria Themelore Publike në Koçan më 30 maj përfundoi procedurën hetimore në lidhje me tragjedinë në Koçan ku janë përfshirë gjithsej 46 të dyshuar për Krime të Rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.