Festivali “Watch Out” nëpërmjet filmit do ta sjellë botën në Tetovë
Prej datës 18 deri më datë 21 qershor në amfiteatrin përballë Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë, do të mbahet edicioni i 14- të i Festivalit të Filmit “Watch Out”, shkruan Portalb.mk.
Egzona Musliu pjesë e stafit organizativ të festivalit për Portalb.mk tha se në këtë edicion do të shfaqen 30 filma të metrazhit të shkurtër dhe se ky vit do të sjellë një program të larmishëm.
“Filmat janë të ndarë në tre kategori, film dokumentar, film i animuar, eksperimental dhe filmi i shkurtër. Ky vit do të sjellë një program të larmishëm, jo vetëm në aspektin e filmave por edhe të ngjarjeve që do ta shoqërojnë festivalin si punëtori të ndryshme, koncerte, panele, etj”, tha Musliu.
Ashtu si edhe edicionet e kaluara edhe këtë vit do të shfaqen filma nga mbarë bota.
“Si gjithmonë festivali WatchOut ka një numër shumë të madh të filmave prej gjithë botës, të përzgjedhur, për këtë vit do të ketë filma nga Maqedonia dhe vendet fqinje, nga Gjermania, Spanja, Franca, Irani, Portugalia, Turqia, Venezuela, SHBa-të, etj”, tha Musliu.
Ajo shtoi se këtë vit do të ketë risi të shumta për gjithë dashamirët e këtij festivali dhe se interesimi për të qenë pjesë e këtij festivali është gjithmonë shumë i madh.
“Festivali këtë vit do të sjellë një frymë pozitive nëpërmjet filmave që do të shfaqen dhe do të veçohet me aktivitetet e ndryshme që do ta shoqërojnë të njëjtin. Gjatë javëve të ardhshme do të zbulojmë më shumë, duke filluar prej jurisë së këtij viti, aktivitete, filmat fitues, porgrami, etj. Interesimi është gjithmonë shumë i madh, këtë vit kemi pasur diku te 900 filma që kanë aplikuar për të qenë pjesë e të njëjtit. E bukura është që gjithmonë kemi regjisorë prej të gjithë botës, që do të thotë se nuk jemi të kufizuar vetëm në hapsirën ku “LOJA” vepron, por shkojmë përtej kufijve të Ballkanit dhe Europës që e bënë festivalin edhe më të bukur dhe e sjellë botën në Tetovë”, tha Musliu.
Musliu gjithashtu deklaroi se nuk kanë pasur aspak përkrahje institutcionale.
“Nëse mendohet për përkrahje institucionale, nuk kemi aspak, por fatmirësisht kemi përkrhaje të publikut, artistëve/eve, të të rinjve, adhuruesve të filmit si dhe të mediave. Përndryshe festivali i filmit përkrahet nga Instituti Goethe-Shkup si dhe pjesërisht nga Kurve Wustrow-Gjermani.
Sipas Musliut, arti dhe kultura duhet të përkrahet në përgjithësi.
“Po, patjetër. Nuk duhet të përkrahet vetëm filmi, por kultura dhe arti në përgjithësi. Mendoj që ka shumë hapësirë për përmirësim në këtë drejtim”, përfundoi Musliu.
Ky festival tradicionalisht organizohet në muajin qershor.