ANALIZË: Borxhet e vjetra po shlyhen, krijohen borxhe të reja, disa do të paguhen deri në vitin 2041 (Infografik)
Sipas Qeverisë situata me huamarrjet është nën kontroll dhe në kuadër të planit. Sipas disa ekonomistëve thellimi i deficitit buxhetor dhe rritja e deficitit në llogarinë rrjedhëse të shtetit janë një sinjal se pa huamarrje ekonomia dhe financat publike nuk mund të funksionojnë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, brenda një viti, borxhi i shtetit ndaj kreditorëve vendas është rritur për pothuajse 540.000.000 euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Shteti emetoi përsëri obligacione 15-vjeçare
“Emetimi i letrave shtetërore me vlerë (LSHV) të listuara në tregun zyrtar të Bursës së Maqedonisë është pjesë e huamarrjes së planifikuar në tregun vendas në përputhje me Buxhetin dhe Rebalansin e miratuar për vitin 2026”, njoftuan nga Ministria e Financave pas huamarrjes së re të shpallur dhe të realizuar në tregun vendas përmes emetimit të bonove shtetërore dhe obligacioneve shtetërore.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në tregun vendas deri në fund të këtij viti ekonomik janë planifikuar 11 pagesa në bazë të detyrimeve të papaguara dhe po aq huamarrje. Të dhënat nga Njoftimet për LSHV-të tregojnë se vetëm gjatë korrikut kreditorëve vendas u detyroheshin 90.551.461 euro për pagesë. Nga ana tjetër, gjatë të njëjtit muaj, shteti zbatoi një plan huamarrjeje prej gati 140.000.000 euro.
Konkretisht, përmes bursës u shpall shitja e obligacioneve qeveritare me afat maturimi 15 dhe 3 vjet dhe huamarrja përmes bonove me afat maturimi prej 12 muajsh. Njëri obligacion me afat maturimi 15 vjet është në shumën prej 6.116.233 euro, ndërsa tjetri është pothuajse 33.000.000 euro. Obligacioni me afat maturimi prej 3 vitesh është në shumën prej 2 milionë euro. Pastaj, nëpërmjet bonove shtetërore të thesarit me afat maturimi prej 12 muajsh shteti merr hua 51.528.409 euro dhe 47.270.292 euro.

Ky ritëm i huamarrjes, së bashku me rritjen e çmimeve të karburanteve, sipas LSDM-së opozitare, është tregues për kolaps.
“Shteti doli në bursë me obligacione të reja prej 41 milionë euro, huazim i ri. Në dy vjet Mickoski na ka ngarkuar me borxh prej më shumë se 2,5 miliardë euro. Një gjë e tillë nuk mbahet mend në historinë e vendit”, reaguan nga LSDM-ja.
Nga Ministria e Financave, nga ana tjetër, thanë se me huatë e reja në tregun vendas janë paguar pothuajse 190.000.000 euro ndërsa 801.200.000 euro janë paguar ndaj kreditorëve të huaj.
Sipas disa ekonomistëve pa rritje të qëndrueshme ekonomike që do të mbështetet në investime dhe zhvillim nuk ka financa publike të qëndrueshme.
“Ekonomia e Maqedonisë nuk ka kapacitet prodhues për të ofruar vlerë të re më të madhe, e as për ta kënaqur konsumin e brendshëm, e aq më pak për ta rritur eksportin. Ne po përballemi me një rritje të deficitit buxhetor, një rritje të deficitit të tregtisë së jashtme, një rritje të deficitit të llogarisë rrjedhëse, të ardhurat në llogarisë kapitale janë minimale, ndërsa llogaria financiare është gjithmonë me saldo negative. Këtë vit po përballemi me një ulje drastike të hyrjes së mjeteve nga investimet e huaja direkte dhe të tjera, gjë që e bën të domosdoshme nevojën për huamarrje shtesë”, tha profesor Sami Bislimi për Portalb.
Deri me datën 26 korrik shteti u detyrohet kreditorëve vendas 4.479.018.019 euro.

Sipas përllogaritjes së Portalb.mk në bazë të të dhënave nga Ministria e Financave borxhi në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar është rritur për 538.873.540 euro, ndërsa nga ana tjetër nga fillimi i këtij viti rritja është për pothuajse 285.000.000 euro.