Amerika si një superfuqi, nga shumë qarqe, për shkaqe të ndryshme shihet me sy negativ dhe urrehet. Kjo ndjenjë shprehet përmes termit amerikanofobia që për herë të parë është përdorur në vitin 1841 New York Times qysh në vitin 1913 pyeste “Pse nuk na duan?” Fjalën e kishte për kanadezët, dhe Times mendonte se e kishte përgjigjen: “armiqësi e paarsyeshme” dhe “xhelozi”. Nuk ishte hera e parë që gazeta përpiqej t’u shpjegonte lexuesve të saj të habitur pse kishte rritje të pakënaqësisë jashtë vendit ndaj asaj që shumë e konsideronin si “vendi më i mirë në botë”. Në vitin 1899, editoriali i Times me titull “Pse na urrejnë” pohoi se armiqësia e huaj qëndronte te “zilia” (envy) për “suksesin politik, social dhe industrial” të Vendit të Ëndrrave (dreamland). Kjo pyetje do të bëhej përsëri dhe përsëri gjatë rrjedhës së shekullit të njëzetë, dhe çdo herë, gjëegjëza zgjidhej me proklamimin rregullues se fajet i kishin të huajt (veset e tyre) ndërsa Amerika kishte virtytet. (Friedman, 2012)
Një shekull më vonë, pas sulmeve të 11 shtatorit pyetjen e njëjtë e shtroi presidenti George W. Bush në një fjalim drejtuar Kongresit, kombit dhe botës. Ai menjëherë dha përgjigjen e tij: “ata i urrejnë liritë tona.” Kjo u pasua nga një valë hetimesh – zyrtare, gazetareske dhe akademike – mbi fenomenin shqetësues të antiamerikanizmit. Që nga ajo ditë fatkeqe e vitit 2001, më shumë se 6 000 artikuj gazetash i janë referuar “antiamerikanizmit. (op.cit.)
Antiamerikanizmi ka shënuar një rritje të dukshme gjatë “Epokës Trump”, i nxitur nga politikat ‘Amerika e Para’ (America First) dhe retorika personale e administratës, të cilat u perceptuan nga shumë kombe si armiqësore, të paparashikueshme dhe nacionaliste. Megjithëse ndjenja antiamerikane është një forcë globale e përsëritur, periudha 2017–2021, dhe rishfaqja e këtyre politikave rreth vitit 2025, shkaktuan një rënie të ndjeshme të pikëpamjeve favorizuese ndaj SHBA-së midis aleatëve të saj tradicionalë. Gjenocidi izraelit i dy viteve e ca në Gaza mbështetur nga SHBA-të ka prodhuar një antiamerikanizëm gjithandej në botë, në veçanti në botën islame dhe te myslimanët. Shumica e aleatëve e shohin Amerikën si një partner të besueshëm, “por jo më si një model për demokracinë. Vetëm 17%, sipas sondazhit të Pew Research Center, thonë se SHBA-ja është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga vendet e tjera. Dikur kjo shifër ishte 57%.” (Time, 2024)
Nëse shqiptarët duhet të falënderojnë dikë për ekzistencën e tyre në periudhën post-otomane, janë Austria që menaxhoi krijimin e Shqipërisë dhe SHBA-të që mbrojtën dhe e vunë në binarët ndërkombëatrë Kosovën. Për interesa apo për ideale, kjo është çështje diskutimi tjetër, por ama e vërteta është kjo. Në veçanti pa ndërmarrjen amerikane s’do të kishte Kosovë të pavarur. Kjo i bën shqiptarët borxhli ndaj kësaj superfuqie që duhet t’i jenë mirënjohës, gjë të cilën edhe e tregojnë sondazhet dhe studimet e shumta ai i Gallup 2025. Promaerikanizmi në Kosovë arrin ~82%-shin; “Newborn” është vendi më pro-amerikan në botë; Shqipëria, 64% – 80%, lider në Evropë në proamerikanizëm, pavarësisht luhatjeve të vogla. Ky fakt megjithatë nuk do të thotë që shqiptarët duhet të kalojnë në in extremis, të “robërojnë” symbyllazi ndaj një imperiumi (Zakaria). Amerika është aq e madhe saqë s’varet nga filia jonë për të. Konformizmi 100% është një pasqyrë jo e mirë për një komunitet, flet për totalizëm psikologjik dhe mendor.
Aktualisht një botë pa Amerikën e fuqishme do të ishte një “sallamadi (anarki) globale”, një gjendje e çrregullimit të ri global dhe rreziqe të shumta për kauzën shqiptare në një Ballkan turbulent si gjatë historisë ashtu edhe dekadave të fundit, kur u vërtetua teza se kjo gjeografi për shumë shkaqe s’mundet të menaxhohet vetë apo vetëm nga aktorët ballkanikë. Ndërkohë duhet shmangur sentimentin oksidentalist radikal – apo thënë më drejt ‘islamofobik’ që në emër të një pro-amerikanizmi apo Euro-filie imagjinare tjetrizon dhe orientalizon pjesën dërrmuese të shqiptarëisë, pjesëtarët e proviniencës myslimane, duke i cilësuar ata si pengesë për modernizimin dhe progresin e shqiptarisë. A ka qarqe anti-amerikane brenda shqiptarëve? Si në çdo vend dhe popull tjetër të botës, ka, por kjo nuk është pasqyrë gjenerale e perceptimit dhe sentimentit pan-shqiptar kundruall ShBA-ve. Interes i shqiptarëve është që të jenë me atë që i ka mbrojtur, por gjithnjë duhet të jenë gati edhe për skenare të mundshme duke pasur parasysh faktin se në politikë nuk ka dashuri platonike. Ata për ditë të zeza mund të shpresojnë edhe në një proxy-shtet i ShBA-ve, siç disa e quajnë Turqinë, që paraqet një forcë që frikëson “fqinjët e shqiptarëve” që presin në çdo anë të sofrës për të gllabëruar nga trojet tona.
Pas Pax Ottomana-s shqiptarët kanë përjetuar edhe Pax (Yugo)Slavica-n edhe vetëmbylljen moniste që u kanë sjellë dekada sterrë. Me Pax Eropeana-n post-1990 pa intervencionizmin amerikan do të ishim në baltë, vetëm me një shtet, Shqipërinë dhe atë kushediçfarë. Sot statusin e kemi shumë më të mirë sesa në 100 vitet e kaluara; e ardhmja varet nga ne, sa do të punojmë, ç’imazh do të ndërtojmë, si do të pozicionohemi dhe në ç’mënyrë do t’i lexojmë kontekstet e reja që do t’i sjellë shekulli aktual plot sfida dhe pikëpyetje.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.