Amerika kërkon riorganizim të madh të NATO-s, përfshirë zvogëlimin e trupave në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e presidentit Donald Trump, po i bëjnë presion NATO-s që të shkurtojë shumë nga aktivitetet jashtë vendit, duke përfshirë përfundimin e një misioni kyç të aleancës në Irak dhe zvogëlimin e pranisë ushtarake në misionin e KFOR-it në Kosovë, kanë thënë për ‘Politico’ katër diplomatë të NATO-s.

SHBA-ja ka lobuar gjithashtu muajve të fundit për zvogëlimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë dhe për të penguar Ukrainën dhe aleatët e Indo-Paqësorit që të marrin pjesë zyrtarisht në samitin vjetor të aleancës në korrik në Ankara.

Kjo përpjekje pasqyron shtysën e Shtëpisë së Bardhë që ta trajtojë NATO-n si pakt mbrojtës rreptësisht euroatlantik dhe të tërhiqet mbrapsht nga dekada zgjerimi drejt menaxhimit të krizave, partneriteteve globale dhe nismave të udhëhequra nga vlerat, të cilat prej kohësh kanë irrituar presidentin amerikan dhe bazën e tij, MAGA.

Nën shtysën e Uashingtonit, NATO-ja do të kufizonte të ashtuquajturat “aktivitete jashtë zone” që shkojnë përtej detyrave qenësore të aleancës për mbrojtje dhe parandalim. Nisma është bërë e ditur brenda strukturave si “kthim në parametrat e fabrikës”, kanë thënë katër diplomatët, të cilëve u është garantuar anonimiteti që të flasin lirisht mbi këtë çështje të ndjeshme të brendshme.

Përpjekja mund të çojë në zvogëlim të shpejtë të aktiviteteve të NATO-s në ish-zona lufte, si edhe në përjashtimin e kryeqyteteve përfshirë Kievin dhe Kanberën nga diskutimet zyrtare këtë verë.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë publikisht programet e partneritetit dhe operacionet globale të NATO-s kur është kontaktuar nga Politico.

Hollësitë e reja zbardhen pasi zëvendësshefi i Pentagonit, Elbridge Colby, së fundmi do të shpjegonte qasjen e administratës për atë çfarë e quajti “NATO 3.0”.

“Jo çdo mision mund të jetë prioriteti kryesor. Jo çdo kapacitet mund të jetë i nivelit më të lartë”, u ka thënë javën e kaluar Colby ministrave të Mbrojtjes të aleancës, duke ritheksuar se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane. “Shkalla e seriozitetit është nëse forcat europiane mund të luftojnë, të mbështesin veten dhe të dalin fitimtare në skenarët që kanë më shumë rëndësi për mbrojtjen e aleancës”.

Fushata amerikane po shkakton kundërshtime në mesin e disa aleatëve.

Heqja dorë nga nismat e aleancës përtej deteve “nuk është qasja e duhur”, ka deklaruar një nga katër diplomatët. “Partneritetet janë thelbësore për parandalimin dhe mbrojtjen”.

Qysh prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë vjet, ai ka shkurtuar angazhimet amerikane jashtë vendit, ka tërhequr trupa dhe personel të NATO-s nga Europa dhe u ka kaluar europianëve disa nga komandat kryesore të aleancës, ndërsa kërkon të rifokusojë politikën e jashtme rreth “sigurisë kombëtare thelbësore”

Tërheqja nga Iraku

NATO-ja ka një mision këshillimor që synon forcimin e institucioneve të sigurisë së Irakut, si policia, dhe frenimin e rikthimit të grupit “Shteti Islamik”. Operacioni u krijua gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit më 2018 dhe është zgjeruar disa herë që nga viti 2021, me kërkesë të Bagdadit.

Uashingtoni u ka kërkuar aleatëve që ta përfundojnë misionin qysh në shtator, ka thënë diplomati i parë i cituar më sipër dhe një diplomat i tjetër.

Veçmas, SHBA-ja pritet gjithashtu të tërheqë rreth 2.500 ushtarë nga Iraku sipas marrëveshjes së vitit 2024 me qeverinë irakiane, diçka që një zyrtar i administratës amerikane i tha POLITICO se është pjesë e “angazhimit të Trumpit që t’u jepet fund luftërave të pafundme”, duke theksuar se ky hap po ndërmerret në “koordinim të ngushtë” me Bagdadin.

Tamer Badawi, ekspert për Irakun dhe bashkëpunëtor në qendrën kërkimore, Qendra për Kërkim të Aplikuar në Partneritet me Orientin”, ka thënë misioni i NATO-s në vetvete nuk është “vendimtar” për sigurinë e vendit. Por tërheqja e tij paralelisht me tërheqjen amerikane mund të fuqizojë grupet e milicive, ka vërejtur ai, dhe të jetë “destabilizuese” për Qeverinë Rajonale të Kurdistanit në veri të Irakut.

Kërkesa amerikane po përballet gjithashtu me kundërshtime brenda aleancës. “Nuk është momenti për largim nga Iraku … qeveria na do atje”, ka thënë diplomati i parë.

Diplomati i dytë ka thënë se “shumica” e aleatëve pajtohen që misioni në Irak duhet të reduktohet, por në afat më të gjatë kohor, duke mbajtur një operacion më të vogël në funksion.

Zvogëlimi në Kosovë

SHBA-ja ka sinjalizuar gjithashtu se dëshiron të reduktojë KFOR, të udhëhequr nga NATO-ja, kanë thënë katër diplomatët – një zhvillim edhe më shqetësues për aleatët europianë, megjithëse diskutimet për këtë mbeten në një fazë shumë të hershme.

Misioni ndërkombëtar paqeruajtës i autorizuar nga OKB-ja, i cili nisi në vitin 1999 pas luftërave jugosllave, aktualisht përfshin rreth 4.500 trupa.

Engjëllushe Morina, studiuese e lartë për politika në Këshillin Europian për Marrëdhënia të Jashtme, ka thënë se misioni mbetet “i pazëvendësueshëm” për sigurinë rajonale. Nëse NATO-ja tërhiqet, kjo mund të inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës, ka thënë ajo, duke krijuar një efekt imitues te serbët etnikë në rajonin e Republikës Srpska në Bosnje.

“Jemi mjaft të shqetësuar” për përpjekjet për ta reduktuar misionin, ka thënë një diplomat i pestë i lartë i NATO-s, pasi “gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”.

I kontaktuar nga Politico, një zyrtar i NATO-s që foli në emër të organizatës ka thënë se “nuk ka asnjë afat kohor të lidhur me Misionin e NATO-s në Irak … apo me KFOR-in”, duke shtuar: “Këto misione bazohen në nevojë, u nënshtrohen rishikimeve periodike dhe përshtaten sipas evoluimit të rrethanave”.

Për momentin, nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e asnjërit operacion. Të 32 aleatët duhet të miratojnë fillimin dhe mbylljen e misioneve – proces që zakonisht përfshin manovra dhe fushata presioni nga disa aleatë, jo vetëm nga SHBA-ja.

Pa aleatë shtesë

SHBA-ja po u bën gjithashtu presion aleatëve që të mos ftojnë Ukrainën dhe katër partnerët zyrtarë të aleancës në Indo-Paqësor — Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut — në takimet formale të samitit të korrikut të NATO-s në Ankara, kanë treguar katër diplomatët.

Shtetet mund të ftohen ende në aktivitete anësore, shtuan ata, me kërkesën se justifikohet pjesërisht si përpjekje për reduktimin e numrit të takimeve të samitit.

Mbajtja e vendeve partnere të NATO-s në margjina të samitit “do të përçonte një sinjal se ndoshta fokusi është shumë më tepër te çështjet thelbësore të NATO-s”, ka thënë Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO-s dhe studiuese e lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

Zyrtari që foli në emër të NATO-s ka thënë se aleanca do të “komunikojë mbi pjesëmarrjen e partnerëve në samit në kohën e duhur”.

Ndërkohë, stafi i NATO-s ka propozuar njashtu anulimin e një forumi publik nga takimi i këtij viti – një aktivitet anësor ku marrin pjesë liderë shtetesh, ekspertë të mbrojtjes dhe zyrtarë qeveritarë në panele të ndryshme diskutimi, të cilat zakonisht rrisin spikatjen e samitit vjetor.

Zyrtari i NATO-s ka thënë: “NATO-ja ka vendosur të mos organizojë një Forum Publik sivjet, por do të organizojë një Forum të Industrisë së Mbrojtjes në margjina të Samitit të Ankarasë”.

Nëpunësit civilë të NATO-s u kanë thënë kryeqyteteve se ky hap synon uljen e kostove për shkak të mungesës së burimeve. Por diplomati i parë dhe i dytë kanë thënë se besojnë se kjo mund të jetë nxitur tërthorazi edhe nga presioni amerikan, duke pasur parasysh fushatën më të gjerë të Uashingtonit për shkurtimin e fondeve për organizatat ndërkombëtare.

Lungescu ka thënë se anulimi i forumit përkon me “uljen e profilit të divizionit të diplomacisë publike” nën drejtimin e shefit të NATO-s, Mark Rutte, i cili është rrekur ta zvogëlojë dhe ristrukturojë departamentin që nga marrja e detyrës në fundvitin 2024.

Por në kohën kur aleanca po përpiqet të bindë publikun e gjerë për vlerën e aktiviteteve të saj dhe për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, kjo është “shumë e dëmshme”, ka thënë një diplomat i tretë.

“NATO-ja duhet ta komunikojë çfarë po ndodh – dhe se çfarë do të bëjë”, ka thënë ata.