Edhe unë jam Othello: Artistët e revoltuar me fushatë kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për të mos e financuar festivalin
Mospërkrahja financiare nga Ministria e Kulturës për Festivalin e teatrove ‘Othello’ ka zgjuar revoltën brenda artistëve, të cilët përmes video mesazheve kërkojnë që mos lejohet që ky festival të shuhet në prag të dekadës së parë të ekzistencës, shkruan Portalb.mk.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, aktorët theksojnë se festivali ka krijuar emër dhe identitet gjatë viteve, duke sjellë shfaqje, artistë dhe energji kulturore, ndërsa tani po përballet me mungesë përkrahjeje në jubileun e tij, edicionin e 10-të.
Sipas mesazheve të tyre, kjo situatë shihet si shqetësuese për zhvillimin e kulturës dhe për mbështetjen e artit skenik në përgjithësi, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe përgjegjësi nga institucionet.
Regjisori Agron Gërguri ka shkruar se Festivali ‘Othello’ ndër vite është rritur në përmasa ndërkombëtare dhe në vend se buxheti të rritej ndodhi e kundërta, u ndërpre mbështetja.
“Ata meritojnë që festa e kulturës teatrore të vazhdoj. Andaj ju edhe që marrin vendime administrative më mirë është të bëhen Othello sesa Jogo”, ka shkruar Gërguri.
Në mbështetje të Festivalit “Othello” janë rreshtuar shumë aktorë dhe artistë, të cilët përmes videove dhe mesazheve publike po japin zërin e tyre që kjo festë teatrore të vazhdojë.
Të gjitha reagimet gjenden KËTU.
Kujtojmë se pas shpalljes së rezultateve të konkurseve vjetore për financimin të projekteve në fusha dhe aktivitete të ndryshme të kulturës në Maqedoninë e Veriut, kanë shpërthyer reagime të shumta nga institucione, shoqata kulturore dhe krijues të pavarur, të cilët shprehin pakënaqësi për mënyrën e ndarjes së fondeve dhe, veçanërisht, për mbështetjen e pamjaftueshme të projekteve që përfaqësojnë kulturën shqiptare. Ministria e Kulturës heshti ndaj reagimeve dhe pyetjeve gazetareske.