Ambasadorja e Suedisë për Portalb: RMV-ja rrezikon të humbasë momentin e fuqishëm aktual për zgjerim, nëse nuk fillojnë negociatat në kohë

Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larsson Jain në një intervistë për Portalb.mk flet rreth zhvillimeve të fundit në vend, për ndryshimet kushtetuese në rrugën eurointegruese të vendit, reformave në drejtësi si dhe përfaqësimin e grave në politikë. Ambasadorja thotë se është inkurajuese të shihet se ka filluar dialogu mes Qeverisë dhe opozitës rreth ndryshimeve kushtetuese. Ndërkaq sqaron se përparimi i vërtetë drejt anëtarësimit në BE do të kërkojë po aq përmirësime reale dhe të qëndrueshme kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit. Por, thotë ajo, ndryshimet e ligjeve nuk janë të mjaftueshme, duhet të shihet zbatimi dhe ekzekutimi i tyre. Ambasadorja theksoi se viti 2030 për anëtarësim në BE është qëllim ambicioz dhe arritja e tij do të varet nga ritmi i reformave të Maqedonisë së Veriut në një numër të fushave, jo më pak në fushën e sundimit të ligjit.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Si i komentoni zhvillimet e fundit politike në lidhje me ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut? Konkretisht, veprimet e opozitës ku ata kundërshtojnë këto ndryshime nga njëra anë, dhe veprimet e qeverisë nga ana tjetër?

Ami Larsson Jain: Vendimi për ndryshimin e Kushtetutës i takon sovranit, prandaj nuk më takon mua të komentoj se çfarë duhet të bëjë udhëheqësia politike e Maqedonisë.

Ajo të cilën mund të them është se si vendi im ashtu edhe vendet e tjera anëtare të BE-së e kanë pasur të qartë faktin se ne besojmë se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Ky ishte mesazhi i shprehur qartë nga krerët e qeverive të BE-së në samitin e vitit të kaluar në Tiranë.

Do të kisha dashur të shtoj se aktualisht ka një moment të fortë për zgjerim, për shkak të realitetit gjeopolitik në të cilin gjendemi. Gjatë viteve të shumta të punës me çështjet e BE-së, kam mësuar se ky moment është i paçmuar. Kur e ke në dorë, nuk e len të ikë.

Zgjerimi është si prioritet për BE-në, ashtu dhe për Presidencën suedeze të Këshillit të BE-së. Ne dëshirojmë të shohim përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE. Prandaj është inkurajuese të shihet se ka filluar dialogu mes Qeverisë dhe opozitës rreth ndryshimeve kushtetuese.

Bashkimi Evropian ka investuar miliona euro në mënyrë që ne të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, për shkak të mungesës së pavarësisë së tij, e cila prej vitesh është një çështje e rëndësishme në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha raportet e progresit të BE-së, kanë qenë të zëshme për këtë çështje. Pra, ju lutemi na tregoni, pse mendoni se nuk ka përparim në këtë fushë?

Ami Larsson Jain: Mendoj se qytetarët e Maqedonisë do të duhet t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, e jo unë. Megjithatë, mund të them se përparimi i vërtetë drejt anëtarësimit në BE do të kërkojë po aq përmirësime reale – dhe të qëndrueshme – kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit. BE-ja ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në këtë fushë.

Nga reformat në këtë fushë do të përfitojnë qytetarët, jo nga dita e hyrjes së vendit në BE, por nga dita e zbatimit të tyre. Pra, ky proces transformues do të kërkojë punë të palodhur dhe përpjekje të përbashkëta nga shumë aktorë të ndryshëm, por gjithashtu duhet të sjellë edhe përfitime të hershme për qytetarët.

Pse asgjë nuk mund të ndihmojë në luftimin e korrupsionit? A mendoni se ajo që është bërë deri tani në këtë fushë është vetëm për qëllime deklarative dhe në fakt asgjë në thelb nuk ka ndryshuar? (Kemi parë shumë raste të ministrave të cilët abuzojnë me pushtetin, ndikimin që kanë, makinat e tyre zyrtare, rastet e nepotizmit… dhe shembuj të ngjashëm).

Ami Larsson Jain: Është e vërtetë se BE-ja – dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë – kanë investuar shuma shumë të mëdha në mbështetjen e reformave për Maqedoninë e Veriut, jo më pak në fushën e sundimit të ligjit. Të gjithë e dimë se korrupsioni është i dëmshëm për zhvillimin e vendit dhe është gjithashtu pjesë e asaj që i bën shumë të rinj të zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre diku tjetër. Kjo është diçka që vendi nuk mund t’ia lejojë vetes. Imperativi për të krijuar ndryshim duhet të jetë i fortë – dhe ndryshimi është gjithashtu një parakusht që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së.

Por ndryshimet e ligjeve nuk janë të mjaftueshme, ne duhet të shohim zbatimin – dhe ekzekutimin e ligjeve. Lajmi i mirë është se ka shumë njerëz që po përpiqen në mënyrë aktive të përmirësojnë llogaridhënien. Nëpërmjet programit tonë të bashkëpunimit për reforma, ne për shembull financojmë gazetarinë e aftë hulumtuese.

Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut - Ami Larsson Jain. Fotografi nga Ambasada e Suedisë e dërguar enkas për Portalb.mk
Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut – Ami Larsson Jain. Fotografi nga Ambasada e Suedisë e dërguar enkas për Portalb.mk

Çfarë humbim ne (si vend) nëse nuk i fillojmë negociatat në kohë, në nëntor? Nga ana tjetër, politikanët tanë po thonë me zë të lartë se Maqedonisë së Veriut do t’i duhen vetëm 7 vjet që të anëtarësohet në BE. A jeni optimiste për këto periudha dhe afate kohore ?

Ami Larsson Jain: Rreziku është që Maqedonia e Veriut të humbasë kohë të konsiderueshme – dhe të humbasë momentin e fuqishëm aktual për zgjerim.

Fundja, bëhet fjalë për anëtarësimin në BE. Përpara se Suedia të anëtarësohej në Union, shumë suedezë kishin gjithashtu shqetësime se çfarë do të thoshte kjo për vetë-vendosjen tonë, ose për disa karakteristika kulturore për të cilat suedezët ishin të lidhur fort. Në të njëjtën kohë, ishte e qartë se Suedia i përkiste BE-së, e lidhur ngushtë me partnerët tanë, me të cilët ne ndamë vlerat, interesat dhe një treg të përbashkët. Nuk ishte një debat i lehtë dhe tensionet ishin të larta. Në fund, popullsia u nda gati 50-50 pro dhe kundër anëtarësimit.

Sot mbështetja për anëtarësimin e Suedisë në BE është shumë e fortë, është rreth 68 përqind. Ajo është bërë pjesë e identitetit tonë, ne jemi anëtarë të BE-së sa edhe suedezë. Si një ekonomi e vogël e varur nga eksporti dhe importi, dhe kemi përfituar jashtëzakonisht shumë nga tregu i brendshëm. Ne mund të punojmë dhe të studiojmë në vende të tjera të BE-së dhe të rikthejmë në Suedi një pasuri të madhe të përvojave dhe njohurive të fituara.

Ne kemi gjithashtu aleatë të fortë në një front të bashkuar të BE-së përballë konfliktit të dhunshëm në kontinentin tonë dhe së bashku po marrim udhëheqjen në tranzicionin e gjelbër, në mënyrë që BE-ja të mbetet në ballë të inovacioneve dhe garave për zhvillim në botë.

Viti 2030 është një qëllim ambicioz dhe arritja e tij do të varet nga ritmi i reformave të Maqedonisë së Veriut në një numër të fushave, jo më pak në fushën e sundimit të ligjit. Ky ndryshim transformues do të jetë i vështirë, por ne do të jemi këtu për t’ju mbështetur gjatë gjithë procesit.

Një numër i madh i stafit në institucionet e BE-së, dhe në shtetet anëtare janë duke punuar për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo tregon se edhe BE-ja po investon shumë në proces dhe do të sigurojë që ai të jetë i besueshëm dhe rreptë.

Përfaqësimi i grave në politikë dhe pozitat e vendimmarrjes në Maqedoninë e Veriut është i ulët, çfarë dhe ku duhet të punojë vendi në këtë drejtim, dhe sipas jush, cilat do të ishin praktikat më të mira për përmirësimin e kësaj çështje?

Ami Larsson Jain: Do të doja t’i përgjigjem kësaj pyetjeje duke ju treguar për përvojat suedeze në këtë fushë.

Politikat e barazisë gjinore kanë qenë një faktor kyç në transformimin e vendit tim në një shoqëri moderne, progresive që u jep grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të njëjtat mundësi për të përmbushur potencialin e tyre të plotë. Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut, por përveç kësaj, edhe një theks i fortë mbi barazinë gjinore e cila ka forcuar ekonominë tonë. Gratë mund të kenë një jetë të përmbushur profesionale dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Për ne, kjo ka qenë një pikënisje e rëndësishme që për të krijuar një shoqëri e cila plotëson nevojat e gjithë popullatës, dhe e gjithë popullata duhet të përfaqësohet në proceset demokratike të marrjes së vendimeve. Në këtë mënyrë, perspektivat dhe përvojat e secilit mund të merren parasysh dhe mund të merren vendimet më të mira të mundshme. Unë mendoj se kjo jep shpjegim në vete – dhe është më se e kuptueshme se ju do të dëshironit të shfrytëzoni të gjithë talentin e shoqërisë, jo vetëm gjysmën.

Gratë në politikë shpesh sulmohen nëpër mediat sociale dhe ndonjëherë edhe në jetën reale. Disa nga retorikat dhe veprimet të cilave ato u nënshtrohen janë thjesht të tmerrshme. Një nga takimet e mia të para në Shkup ishte me politikane gra nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, dhe ato treguan se në çfarë mënyrë agresive trajtohen shpesh për punën që bëjnë në politikë. Ky nuk është një problem vetëm në Maqedoninë e Veriut. Mekanizmat kundër dhunës ndaj grave në politikë, rrjetet mbështetëse si dhe aktivitetet për mentorim të grave të reja në politikë, mund të jenë mjete të dobishme për trajtimin e kësaj problematike.