Ambasada e Suedisë në Shkup hapi përsëri këtë vit konkursin për pozitën “Ambasadore për një ditë”
Nëse jeni vajzë mbi 15 vjeç dhe e interesuar të bëheni Ambasadore e Suedisë për një ditë, atëherë, kjo është mundësia juaj. Ambasada e Suedisë në Shkup ka shpallur konkursin për pozitën “Ambasadore për një ditë”, transmeton Portalb.mk.
“Nga kandidatja pritet që të shoqërojë Ambasadorin gjatë gjithë ditës, të marrë pjesë në takime, të bashkëpunojë me stafin e Ambasadës dhe të angazhohet në aktivitetet e përditshme të institucionit. Në fund të ditës, ajo duhet të përgatisë një raport të shkurtër mbi përvojën dhe detyrat e kryera”, thonë nga Ambasada.
Dita e punës fillon në orën 08:30 dhe përfundon në orën 16:30.
Të gjitha vajzat e interesuara duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
Një letër motivuese e shkurtër (maksimum 250 fjalë), ku shpjegoni arsyet pse jeni të interesuara për këtë pozicion;
Një biografi e shkurtër, ku përshkruani aktivitetet tuaja, interesat dhe angazhimet që keni ndërmarrë për të promovuar ose përmirësuar jetën në komunitetin tuaj. Kjo mund të jetë një nismë që keni ndërmarrë ose një aktivitet ku keni marrë pjesë, i cili promovon barazinë midis vajzave dhe djemve, ofron ndihmë për të moshuarit apo personat në nevojë, ose lidhet me mbrojtjen e mjedisit, etj.;
Dy referenca (maksimum 1–2 paragrafë) nga persona që ju njohin mirë dhe mund t’ju rekomandojnë për këtë pozicion. Këto mund të jenë mësuesit tuaj ose persona të tjerë që ju kanë parë në veprim;
Pëlqim me shkrim nga prindërit/kujdestarët ligjorë (për vajzat e moshës 15–18 vjeç).
Afati i fundit për aplikim është 10 nëntori, ndërsa aplikimet duhet të dërgohen përmes postës elektronike në adresën: [email protected], me titullin: Aplikimi për konkursin #GirlsTakeOver “Ambasadore për një ditë” 2025/26.
Kandidatja e përzgjedhur do të njoftohet deri më 30 nëntor, dhe nga ajo pritet të kryejë detyrat në një datë të miratuar nga të dyja palët.
#GirlsTakeOver është një iniciativë globale ku vajzat në mbarë botën marrin pozita udhëheqëse me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, më 11 Tetor. Në këtë nismë marrin pjesë Ministria e Punëve të Jashtme e Suedisë dhe shumë ambasada suedeze në mbarë botën.