Alternativa vendosi që Bekim Sali të udhëheqë negociatat për shkrirjen në VLEN
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Alternativës, Bekim Sali, do të udhëheqë negociatat për shkrirjen e kësaj partie në partinë VLEN, transmeton Portalb.mk.
“Kuvendi Qendror i Alternativës merr vendim që Alternativa të bashkohet në subjektin e ri politik VLEN. Kuvendi Qendror merr vendim që – deri në epilogun e unifikimit të VLEN-it – të pushojnë të gjitha organet e Alternativës”, njoftoi Alternativa.
Në këtë Kuvend, një nga vendimet është edhe autorizimi i kryetarit Bekim Sali që të udhëheqë procesin drejt unifikimit të VLEN-it.
“Kuvendi Qendror sugjeron që, para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare për unifikimin e VLEN-it në një subjekt politik, të detajohen edhe të drejtat dhe detyrimet e secilit organ të partisë së ardhshme VLEN”, raporton Alternativa.
Partia VLEN e cila do të shkrijë në të katër parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pritet të ketë dy kryetarë, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, kurse do të jetë parti me ideologji të djathtë.
Kujtomë se bashkimi i partive LD, BESA, ASH dhe Alternativa po paralajmërohet me muaj. Më 7 mars 2026, në Kosovë liderët e partive u takuan me kryeministrin kosovar, Albin Kurti nga ku dhanë mesazhin që më në fund po bëhen një parti.
Më herët, partitë në fjalë morën vendime për shkrirjen e organeve partiake me qëllim të bashkimit.
- LEXO: LD-ja e Izet Mexhitit vendosi të shkrihet në partinë VLEN
- LEXO: ASH-ja e Fetait e autorizoi Fetain të negocion për shkrirjen e koalicionit VLEN në parti politike
- LEXO: Kush do jetë lider i VLEN-it, Kasami apo Mexhiti?
- LEXO: Kasami i shpalosi vendimet e Kuvendit të Lëvizjes Besa, mes tjerash u shkarkua kryesia Qendrore (VIDEO)