Raportuesja Speciale e OKB-së, Francesca Albanese: Autoritetet serbe pa turp bashkëpunojnë me Izraelin

Francesca Albanese ndoshta më as vetë nuk e di se sa herë i janë anuluar ose shtyrë vizitat gjatë vitit të kaluar. Por, ajo për momentin është duke bërë një vizitë në Beograd, ku përpara tribunës që do të mbahet më 17 mars Albanese i kritikoi ashpër autoritetet serbe për bashkëpunimin e tyre ushtarak me Izraelin, të cilin ajo e akuzon për krime lufte kundër palestinezëve, raporton BBC Serbia., përcjell Portalb.mk.

Autoritetet serbe i kanë hedhur poshtë akuzat e saj si ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme.

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për territoret e pushtuara palestineze është kritikuar ashpër si një kritike e zëshme e luftës dyvjeçare të Izraelit në Rripin e Gazës, të cilën ajo e quan “gjenocid”, gjë që Izraeli e mohon.

Krahas ndërhyrjes brutale ushtarake të Izraelit, Albanese i ka kritikuar ashpër edhe aleatët e Izraelit, ndër të tjera vende dhe kompani të mëdha, si dhe sulmet e vazhdueshme amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Gjatë një tribune dy-orëshe në Beograd ajo foli për mënyrën se si sistemet globale e mbajnë ose nuk e kundërshtojnë gjenocidin.

Që nga viti 2025 Francesca Albanese është nën sanksione nga SHBA-të, që do të thotë se ajo nuk mund të bëjë asnjë transaksion me kartelë, universitetet ku ajo ka qenë e ftuar e kanë anuluar bashkëpunimin e tyre,ndërsa zyrtarë të caktuar evropianë e kanë kërkuar dorëheqjen e saj si raportuese speciale.

Raportuesit specialë janë të pavarur nga OKB-ja, por kjo organizatë i emëron ata për të dhënë këshilla mbi çështjet e të drejtave të njeriut.

E përderisa disa e shohin Albanesen si një mbrojtëse të vendosur të të drejtave të njeriut, kundërshtarët e saj e akuzojnë atë për paragjykim dhe antisemitizëm, duke theksuar se juristja italiane e vë në pikëpyetje ekzistencën e Izraelit si shtet.

Ofensiva ajrore dhe më pas edhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës filloi si përgjigje e një sulmi nga organizatat ekstremiste palestineze të udhëhequra nga Hamasi që u bë më 7 tetor të vitit 2023, kur u vranë 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi gjatë luftës brutale dyvjeçare në Rripin e Gazës u vranë më shumë se 72.000 persona.

Një numër i madh i njerëzve në Rripin e Gazës u përballën me urinë dhe varfërim të plotë.

Pothuajse i gjithë territori u la në rrënoja, ndërsa OKB-ja vlerëson se dëmi i përgjithshëm arrin në 70 miliardë dollarë.

Armëpushimi i nënshkruar tetorin e kaluar nuk është respektuar dhe që atëherë kanë vdekur të paktën 600 persona, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit.

Ekspertja e të drejtave të njeriut, e cila ishte pak e njohur për publikun e gjerë para luftës në Gaza, e di se sa përshtypje të fuqishme lënë raportet e saj për OKB-në mbi këtë territor palestinez.

“Raportet kanë jehuar si bomba”, tha ajo gjatë një fjalimi të mbajtur pak kohë më parë në Forumin në Doha.

“Sa herë që filloj të hulumtoj një lëndë të re, kam ndjesinë se do të shkaktojë tronditje”, shtoi ajo.

Në raportin “Anatomia e Gjenocidit” nga viti 2024, Albanese deklaron se pesë muaj pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake izraelite “ka baza të arsyeshme për të besuar” se kundër palestinezëve në Gaza janë kryer “akte gjenocidale”.

Këto janë: “vrasja e anëtarëve të grupit; shkaktimi i dëmtimeve të rënda trupore ose mendore ndaj anëtarëve të grupit; dhe imponimi i qëllimshëm i kushteve të jetesës që janë llogaritur për të shkakuar shkatërrimin fizik të grupit tërësisht ose pjesërisht”, thuhet në raport.

“Gjenocidi izraelit kundër palestinezëve në Gaza paraqet një përshkallëzim të një procesi të gjatë kolonial të popullimit, qëllimi i të cilit është shfarosja e një populli”, thuhet në raport.

Izraeli “e hodhi poshtë plotësisht” raportin dhe tha se ai “e turpëron” Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

Albanese e “vë në pikëpyetje vetë legjitimitetin e krijimit dhe ekzistencës së shtetit të Izraelit”, u tha në profilin e misionit izraelit në OKB në X.

Një vit më vonë, Albanese prezantoi një raport të ri, duke theksuar se në veprim ishte një “ekonomi gjenocidi”, në të cilën konflikti me Hamasin ishte një terren testimi, pa llogaridhënie ose mbikëqyrje, për lloje të reja armësh dhe teknologjie.

Izraeli e hodhi poshtë raportin e saj si “të pabazë”, duke thënë se ai do të “përfundonte në koshin e plehrave të historisë”.

Ajo i përmendi kompanitë që pretendonte se po përfitonin nga krimet e luftës në Gaza dhe për këtë arsye ishin bashkëpunëtore, duke u bërë thirrje atyre të ndalonin së bëri biznes me Izraelin.

Avokatja italiane e zgjeroi listën e personave përgjegjës në raportin e saj të fundit të tetorit të vitit 2025, duke deklaruar se “gjenocidi në Gaza është një krim kolektiv” në të cilin “kanë marrë pjesë shtete të treta me ndikim, duke i mundësuar Izraelit të kryejë shkelje sistematike afatgjata të së drejtës ndërkombëtare”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ende nuk ka konstatuar nëse forcat izraelite kanë kryer gjenocid në Gaza, në rastin e ngritur para gjykatës nga Afrika e Jugut.

Izraeli rastin e quajti “krejtësisht të pabazë” dhe të bazuar në “pretendime të njëanshme dhe të rreme”.