Aliu: Tre mjekë të huaj ende po punojnë në rastin e operacioneve të panevojshme të zemrës, detajet do të bëhen publike javën e ardhshme

Tre mjekë të huaj, të cilët janë pjesë e komisionit që po heton rastin e operacioneve të panevojshme të zemrës që janë kryer në vend, ende janë duke punuar, deklaroi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke shtuar se me shumë gjasë javën e ardhshme do të mbajë një konferencë për shtyp ku do të paraqiten më shumë detaje, transmeton Portalb.mk.

“Ata po punojnë, por sot nuk kam informacione të reja se deri ku kanë arritur. Me shumë gjasë javën e ardhshme në një konferencë për shtyp do t’ju njoftoj për detajet. Vlerësoj se ende janë në atë fazë, në atë afat kohor që është përcaktuar nga ana e tyre”, tha ministri.

Sa i përket vendimit për bashkimin e Klinikës së Kardiologjisë dhe asaj të Kardiokirurgjisë në një Institut Kombëtar për Sëmundje Kardiovaskulare, Aliu tha se aktualisht procedura është në zhvillim e sipër, përkatësisht sipas ligjit duhet të kalojnë 30 ditë që institucioni të jetë edhe juridikisht një i vetëm.

“Ne tashmë kemi një drejtor për administrimin, gjatë këtij procesi derisa të bashkohen dy klinikat”, tha ai.

Kujtomë se, kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë për Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë.

Më 14 nëntor, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu njoftoi se komisioni i brendshëm për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 19 raportet e analizuara nga pacientët dhe institucionet për raste të dyshuara të ndërhyrjeve të panevojshme në zemër në institucionet publike dhe private të kujdesit shëndetësor, përcaktoi se 10 ishin operacione të kryera pa nevojë ose të referuara pa nevojë për operacione.