Aliu: Çmimet e roamingut me BE-në janë ulur me 30 përqind

Nga 1 tetori hyri në fuqi marrëveshja mes operatorëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për uljen e çmimeve të roaming. Të gjithë banorët e Maqedonisë kur të shkojnë jashtë vendit do të kenë ulje të çmimeve prej 30 përqind, thotë ministri i shoqërisë informatike, Azir Aliu, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët tanë dhe biznesi nga RMV-ja, kur të shkojnë jashtë shtetit, tashmë kanë 30% shpenzime më të vogla për roaming dhe e kundërta, qytetarë të BE-së, ose bizneset që janë pjesë e procesit dhe aktivitetet i kanë në RMV, do të kenë 30% ulje. Gjithashtu definuam aktivitete, “road map” , në të cilat në vitin 2026 gjithashtu do të ketë ulje për 30% dhe pritet në vitin 2028, çmimet për roaming të jenë njëjtë si çmimet për ata shërbime që i kanë në tregun vendor, kjo do të thotë se në vitin 2028, të njëjtat çmime do t’i kemi, si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit”, tha Aliu.

Ndryshe, nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i vitit 2021.