Aliu: Prej sot ulen çmimet e roamingut mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu njoftoi se duke nisur nga sot, qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit do të paguajnë mesatarisht 1/3 më pak të çmimit që paguajnë sot në roaming, derisa udhëtojnë në vendet e Evropës, ashtu si edhe qytetarët e diasporës e ata evropianë, kur të vijnë për të vizituar apo takuar të afërmit e tyre, këtu në vendet e rajonit, njofton Portalb.mk.

Siç tha Aliu, ulja e çmimeve për të dhënat me roaming është një përmbushje e Deklaratës për Roaming të nënshkruar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

“38 operatorë të telekomunikacionit nga BE dhe Ballkani Perëndimor, vitin e kaluar në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, nënshkruan një deklaratë konformiteti, për zvogëlim të ndjeshëm hendekun midis tarifave të roaming-ut dhe çmimeve të brendshme midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit”, deklaroi Aliu.

Ai gjithashtu tha se kjo nismë do ta zvogëlojë hendekun midis roaming-ut dhe çmimeve të brendshme ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e biznesit.

“Ulja e çmimeve për të dhëna me roaming, do të kontribuojë në nxitjen e zhvillimit të biznesit, turizmit dhe forcimin e lidhjeve midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”- përfundoi Aliu.

Ndryshe, nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i vitit 2021.