Alfabeti, dija dhe qëllimi i arsimit

Dita e Alfabetit, është një ftesë për t’u kthyer te rrënjët, jo për nostalgji, por për të matur distancën mes idealeve të dikurshme dhe realitetit të sotëm. Kur delegatët e Kongresit të Manastirit u mblodhën më 1908, ata nuk po flisnin vetëm për alfabetin. Ata po flisnin për emancipimin, për dijen si instrument lirie, për shkollën si tempull të progresit. Sot, më shumë se një shekull më vonë, duket se kemi alfabetin, por kemi filluar të humbasim kuptimin e tij.

Shpesh duket se arsimi ynë modern po e humb thelbin dhe po kthehet ngadalë në formë, në ritual administrativ, në procedurë burokratike, në garë notash dhe diplomash që nuk pasqyrojnë gjithmonë aftësi reale. Fëmijët mësojnë për teste, jo për të kuptuar. Shpesh ndodh që studentët studiojnë për kredi, jo për ide. Shumë mësues dhe profesorë,  shpesh të ngulitur mes kërkesave formale, raportimeve të pafundme dhe pritshmërive të pakuptimta, humbin hapësirën për kreativitetin që i jep kuptim profesionit të tyre.

A nuk është kjo e kundërta e asaj që synonin rilindasit tanë?

Ata e kuptonin se zhvillimi fillon me pyetjet e vërteta, me kureshtjen, me mendimin kritik, jo me listat e gjata të detyrave, formularëve dhe detyrimeve që nuk ushqejnë mendjen e asnjë nxënësi. Dhe pikërisht këtu duhet të na vrasë ndërgjegjja: a kemi krijuar një sistem që prodhon dije, apo një sistem që riprodhon vetëm dëshirën për të kaluar provime?

Në këtë 22 Nëntor, duhet të pranojmë se, në të gjithë hapësirën shqiptare, sfida më e madhe e arsimit sot nuk është mungesa e shkronjave, por mungesa e thelbit. Alfabeti është i qëndrueshëm, por kuptimi i tij po venitet.

Kemi shkolla me teknologji të reja, por shpesh pa kulturë leximi. Kemi universitete me programe studimore, por jo të gjitha kanë programe që nxisin mendimin kritik. Kemi fëmijë që dinë të përdorin pajisje elektronike para se të dinë të lexojnë rrjedhshëm. Dhe si shoqëri, shpesh hezitojmë të bëjmë pyetjen më të thjeshtë: çfarë lloj arsimi po u japim brezave që vijnë?

Nëse alfabeti dikur na bashkoi, sot duket se arsimi po rrezikon të na lërë të ndarë mes atyre që arrijnë të mësojnë pavarësisht sistemit dhe atyre që mbeten peng i një arsimi që po e humb kuptimin.

Prandaj, 22 Nëntori nuk duhet të jetë vetëm përkujtim i një ngjarjeje historike. Duhet të jetë një thirrje për t’u kthyer te misioni i arsimit si interes kombëtar. Për të rikthyer thelbin mbi formën. Për të vendosur dijen mbi letërkëmbimet burokratike. Për të mbështetur mësuesit dhe profesorët që përballen çdo ditë me sfida që nuk janë vetëm akademike, por edhe shoqërore. Për t’u kujdesur që fëmijët tanë të rriten me kureshtje, jo me frikën se mos gabojnë në provim.

Delegatët e Manastirit patën guximin të imagjinonin një të ardhme më të ndritur për kombin. Ne sot kemi detyrimin ta mbrojmë këtë dritë. Alfabeti ishte fillimi; arsimi është vazhdimi. Dhe ky vazhdim kërkon që të mos pajtohemi me një arsim që ka formë, por jo edhe esencë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.