Tetova në kujtesën e kohës: Ekspozitë që rikthen historinë në vigjilje të nëntorit

Në vigjilje të festave të nëntorit, sot më 20 nëntor, me fillim nga ora 11:00, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës organizon ekspozitën fotografike me temë “Tetova në kujtesën e kohës”, e cila do të jetë e hapur për publikun deri më 28 nëntor në hapësirat e UT-së, shkruan Portalb.mk.

Zeqirja Rexhepi (historian), pjesë e stafit të ligjëruesve në Fakultetin Filozofik, i angazhuar për ta realizuar projektin, për Portalb.mk tha se kjo ekspozitë është një urë mes brezave një kujtesë e gjallë e rrugëtimit arsimor dhe kulturor të Tetovës.

“Qëllimi kryesor i ekspozitës është njohja e brezit të sotëm me zhvillimet arsimore të së kaluarës, personalitetet e arsimit dhe kulturës shqiptare në Tetovë dhe më gjerë, objektet e vjetra të shkollave shqipe dhe institucione tjera…, ekspozitë kjo që ka për synim rikujtimin dhe vlerësimin e kulturës tetovare. Ekspozita përmban gjithsej 80 fotografi të kornizuara, të cilat e paraqesin periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të periudhës nga Lufta e Dytë Botërore, kur për herë parë janë hapur shkollat shqipe në Tetovë, me mësues të dërguar nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë (në kohën e Ernest Koliqit-Ministër i Arsimit), si dhe fotografi të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, periudhë kohore kur shkollat shqipe do ta vazhdojnë punën dhe veprimtarinë edukativo-arsimore në Tetovë”, tha Rexhepi.

Mësueset e shkëlqyeshme: Emine Vela, Syejla Jonuzi, Çelebije Toska, Hava Abazi dhe Neziha Maleziu. Foto: Zeqirja Rexhepi
Mësueset e shkëlqyeshme: Emine Vela, Syejla Jonuzi, Çelebije Toska, Hava Abazi dhe Neziha Maleziu. Foto: Zeqirja Rexhepi

Ai tha se fotografitë janë dorëshkrim vizual i historisë, dëshmi e gjallë e mësuesve, nxënësve, abetareve dhe rrugëtimit arsimor që ka formësuar identitetin shqiptar.

“Fotografitë janë siguruar nga një intelektual tetovar, një dashamir i arsimit shqip, i njohur me epitetin “tetovari nga Stambolli”. Është fjala për Ferhan Jakupi Mertol, i cili në vitin 1957, në moshën 16 vjeçare, bashkë me familjen është detyruar të shpërngulet për në Turqi, si shumë shqiptarë tjerë, asokohe. Meqenëse kishte lidhje të afërta e të drejtpërdrejta me mësues të kësaj periudhe (veçmas me mësuesen Fatbardha Çaushi, vjehrra e tij), natyrisht i ndihmuar edhe nga familja, Ferhan Jakupi e ka krijuar koleksionin personal me një numër të madh të fotografive, ku ka arkivuar në formë faktografike një pjesë të mirë të personaliteteve dhe ngjarjeve të kohës. Përndryshe, Ai, po këtë vit e ka botuar edhe librin monografik: “Tetova në rrjedhën e historisë” (2025). Prezantimi i çështjeve arsimore, duke filluar nga Rilindësit e kohës-personalitete të njohura, dokumente fotografike të abetareve të para dhe dëshmi të Alfabetit Shqip, objekte shkollore, pamje të mësuesve (fotoportrete dhe foto kolektive), si dhe fotografi me klasa të nxënësve në periudha të caktuara historike, gjë që kanë rol tejet të rëndësishëm, sikurse një dorëshkrim “vizual” faktografik, që mbetet dëshmi e proceseve tona kulturore. Fotografitë, përgjithësisht, krijojnë mbamendje të bukur e të paharrueshme, si përshkrim pamor i një kohe që i përket arkivit të së kaluarës sonë”, tha Rexhepi.

Fotografi nga klasa e Fatbardha Çaushit. Foto: Zeqirja Rexhepi
Fotografi nga klasa e Fatbardha Çaushit. Foto: Zeqirja Rexhepi

Ekspozita “Tetova në kujtesën e kohës”, përmban shumë fotografi, të cilat mund të shihen për herë të parë nga tetovarët dhe të interesuarit tjerë, sidomos për brezin e ri.

Fotografi nga klasa e dytë me mësuesin Nijazi Fanda. Foto: Zeqirja Rexhepi
Fotografi nga klasa e dytë me mësuesin Nijazi Fanda. Foto: Zeqirja Rexhepi