Alarm i kuq për dhjetë ditët e ardhshme në RMV, vjen valë e nxehtë

Në dhjetë ditët e ardhshme territori i Maqedonisë së Veriut  do të jetë nën ndikimin e masës së ngrohtë ajrore të Afrikës dhe e njëjta do të sjellë temperatura të larta të ajrit si dhe rreze të larta ultravjollce, transmeton Portalb.mk.

Temperatura minimale do të zbresë në intervalin nga 13 deri në 23 gradë, ndërsa temperaturat maksimale ditore do të jenë mesatarisht të larta dhe dhe do të rriten në intervalin nga 31 deri në 39 gradë.

Rrezet ultravjollcë do të jenë me vlerë shumë të lartë (8).

Rikujtojmë se, gjatë muajit qershor të këtij viti, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një seancë miratoi disa rekomandime për temperaturat e larta:

  • Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më cënueshme të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
  • Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
  • Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për të vetmuarit, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët. Punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.