Akuzat për Samitin e OSBE-së të organizuar nga Bujar Osmani, VLEN dorëzoi padi, Prokuroria: Po verifikojmë akuzat
VLEN ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Publike që të veprohet mbi raportin negativ të Entit Shtetëror për Revizion në MPJ për kohën kur ministër ka qenë Bujar Osmani. Ata shtojnë se revizorët konstatuan se mbi 120 milionë denarë janë shpenzuar për Samitin e OSBE-së pa dokumentacion dhe evidencë. “Kjo ngre dyshime serioze për keqpërdorim të parave publike. Nuk ka dëshmi se ku janë shpenzuar këto mjete dhe Prokuroria Publike patjetër të hetojë”, thanë nga VLEN, transmeton Portalb.mk.
“Kjo nuk është hera e parë. Edhe si ministër i Shëndetësisë, Osmani ka pasur raport negativ, ndërsa institucionet e kanë amnistuar. Sot nuk do të lejojmë të shohim të njëjtin skenar ku gjyqësori dhe prokuroria heshtin”, thuhet në reagim.
Raporti i revizionit të qershorit 2025 nuk përmend shifra konkrete dhe thekson vetëm pasiguri në dokumentacion dhe evidencën e pajisjeve të instaluara. Prokuroria thotë se ka hapur çështje dhe po verifikon dyshimet, por ende nuk ka masa konkrete. Megjithatë, gjithë kjo duket më shumë si lojë politike para zgjedhjeve lokale, ku akuzat përdoren për poena politike, sesa si dëshirë të sinqertë për hetim real
“Ka kaluar një muaj që kur u publikua raporti negativ i ESHR mbi shpenzimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë kohës kur ministër ishte Bujar Osmani, dhe Prokuroria dhe gjyqësori ende nuk kanë marrë asnjë masë. Revizorët konstatuan se mbi 120 milionë denarë (rreth 2 milionë euro) u shpenzuan për organizimin e samitit të OSBE-së në Shkup pa dokumentacion të duhur, pa evidencë të mallrave dhe shërbimeve të dorëzuara dhe pa pajisje të qëndrueshme që duhej të kishin mbetur pronë shtetërore. Kjo ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike. E gjithë kjo të rikujton kohën kur Bujar Osmani ishte Ministër i Shëndetësisë dhe kur ai gjithashtu mori një raport negativ nga ESHR me vërejtje për veprime të paligjshme dhe pagesa të dyshimta. Dhe pastaj, në vend të përgjegjësisë, gjyqësori e amnistoi atë. Një strukturë në shtet padyshim e mbron dhe e përgledh Bujar Osmanin si të preferuarin e saj. Sot shohim një përsëritje të të njëjtit model, gjyqësori dhe prokuroria heshtin përsëri. Nëse do të ishte ndonjë qytetar tjetër, ai do të ishte përgjegjës edhe për një gjobë trafiku. Por për Bujar Osmanin, duket se zbatohen rregulla të tjera. Është e qartë se ai është nën mbrojtjen e dikujt, dhe kjo do të thotë vetëm një gjë, se ai është borxhli diku, dhe nuk janë shqiptarët ose qytetarët e Çairit”, thonë nga VLEN.
Ata shtojnë se Prokuroria Publike ka detyrim ligjor të hapë një çështje pas një raporti negativ nga ESHR.
“Nëse kjo nuk bëhet, do të jetë hera e dytë që institucionet me vetëdije e kanë amnistuar Bujar Osmanin për të njëjtat dyshime dhe abuzime”, thonë nga VLEN.
Nga Prokuroria ndërkohë thonë se ende nuk është marrë vendim përfundimtar dhe se në qershor të këtij viti është marrë për veprim kompetent në Prokurori.
“Lidhur me raportin për Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Objekteve Sportive në vitin 2023, ai iu dorëzua prokurorisë dhe në qershor të vitit 2025 iu dërgua për veprim kompetent Prokurorisë Publike të Shkupit. Është hapur një çështje dhe po ndërmerren veprime për të verifikuar akuzat”, thonë nga Prokuroria.
Mirëpo në një prononcim të vitit 2023 Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar thuhet se Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk ka vend për ndërhyrje në këtë rast, i cili ishte ngritur pas denoncimit nga MPB
“Nuk ka vend për ndërhyrje të Prokurorisë Publike, në çështjen e ngritur në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lidhur me prokurimin publik të punimeve për rregullimin e brendshëm dhe të jashtëm të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” me qëllim mbajtjen e Konferencës së Këshillit të Ministrave në kuadër të Kryesisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në”, thanë nga Prokuroria Themelore dhe PNKOK.
Ndërkohë, pas sulmeve të koalicionit VLEN, Bujar Osmani, ka reaguar duke thënë se VLEN është në panik.
„Ata i kanë marrë anketat, në të cilat shihet qartë se diferenca mes meje dhe kandidatit të tyre është 10%, dhe tani janë në panik. Prandaj po përpiqen të hapin çështje për të cilat qytetarët zakonisht i akuzojnë ata se janë të korruptuar dhe se për 20 vjet e kanë drejtuar komunën në mënyrën më korruptive,“ deklaroi Osmani.
Osmani kujtoi se qysh para se të përfundonte Samiti i OSBE-së ai personalisht ia kishte dorëzuar tërë dokumentacionin institucioneve përkatëse.
„Unë personalisht ia kam dorëzuar tërë dokumentacionin Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë. KShPK, pas disa javësh, doli me konstatim se nuk ka asnjë parregullsi. Edhe Prokuroria Publike konfirmoi se nuk ka parregullsi. Nuk ka pasur asnjë auditim të OSBE-së, por të Boris Trajkovskit, dhe kjo në lidhje me mënyrën se si ata e kanë pranuar pajisjen,“ sqaroi Osmani.