Akuzat e Azizit për qëllim të nxitjes së tensioneve, nuk i ka paraqitur në polici, opozita thotë se ai po tallet me inteligjencën e shqiptarëve
Indikacionet e deputetit dhe shefi të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN, Adnan Azizi se dikush po tenton të nxisë tensione ndëretnike duke sulmuar objekte fetare nuk janë denoncuar as në polici e as në prokurori. Këto akuza ai i bëri para fushatës, por përveç debatit brenda-shqiptar që nxiti, në drejtim të zbardhjes së rastit nuk ka ndërmarrë asgjë. MPB dhe prokuroria për Portalb.mk vërtetojnë se këto akuza që janë plasuar në publik nuk janë denoncuar nga asnjë qytetar ose institucion kurse deputetët shqiptar opozitar e kanë akuzuar deputetin Azizi se po nxit tensione në mes shqiptarëve.
“Indikacionet flasin që edhe ata fëmijë që u rrahën që janë nga komuna juaj, ishin të paguar nga njerëzit e BDI-së të organizuar me “Vojvodat” vetëm e vetëm për të diskredituar pushtetin dhe nuk zgjedhin mekanizëm për të ardhur në pushtet. Kemi informacione të sakta se nga një shtet fqinj, kanë paguar dy grupe për të djegur edhe xhaminë në Kodrën e Diellit”, tha deputeti Azizi.
Të njëjtën pas tij e kishte konfirmuar edhe i pari i komunës së Tetovës Bilall Kasami. Sipas tij, ka informacione se në territorin e Maqedonisë, veçanërisht në pjesën shqiptare, me theks të veçantë në Tetovë, në vazhdimësi ka tendenca për të krijuar tensione ndëretnike.
“Informacionet që kemi janë jo vetëm nga njerëzit tanë në terren, por edhe nga burime të brendshme dhe nga vendet fqinje. Edhe konflikti i fundit ka pasur indikacione se është nxitur nga elementë të tillë. Gjithashtu, sa i përket ngjarjes në Kodrën e Diellit, për të cilën kishim informata paraprake, institucionet e sigurisë janë informuar dhe janë duke ndjekur me kujdes çdo hap në këtë drejtim. Janë dhënë sugjerime dhe udhëzime drejtuar institucioneve që çdo 24 orë të përcillet situata dhe të mos tolerohet që, në periudhën parazgjedhore, elementë të caktuar të krijojnë konflikte ndëretnike për qëllime politike”, theksoi Kasami.
Deputeti Azizi nuk i ka denoncuar akuzat as në prokurori as në polici
“Ju informojmë se në Sektorin e Punëve të Brendshme Tetovë, deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim të tillë nga ndonjë qytetar ose institucion, as personi i treguar nuk ka paraqitur detaje ose prova në SPB Tetovë”, thanë në përgjigjen e tyre për Portalb nga zyra për komunikim e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Sipas informacioneve të marra nga mediat, përkatësisht pas një informacioni, SPB Tetovë po i kontrollon ato dhe po merr masa përkatëse. Nëse konfirmohen, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike Tetovë, do të ndërmerren masa dhe aktivitete përkatëse për të parandaluar ngjarje të tilla në kohën e duhur”, thuhet tutje në njoftimin e MPB.
Nga prokuroria thonë se nuk i komentojnë akuzat në kohë fushatë zgjedhore. Por që as aty nuk është dorëzuar ndonjë kallëzim.
Xhigal: Mobilizim i votuesve duke rritur tensionet ka pasoja
Për të sqaruar momentin politik dhe deklaratat që ngrejnë tensione, Portalb.mk ka kontaktuar ekspertin e komunikimit politik, profesorin Sead Xhigal, i cili në deklaratën e tij theksoi se kemi të bëjmë me atë që teoria e njeh si polarizim i komunikimit gjatë fushatave zgjedhore.

“Mobilizim i votuesve duke rritur tensionet ka një efekt të caktuar, por çmimi për këtë është shumë i lartë, pasi minon besimin në zgjedhje. Pjesëmarrësit në zgjedhje, partitë politike dhe kandidatët, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në luftën e tyre politike që të mos kalojnë disa vija të kuqe që kërcënojnë integritetin dhe besimin jo vetëm në procesin zgjedhor, por edhe në vetë sistemin politik. Ata duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje promovimit të kandidatëve dhe zgjidhjeve për problemet e qytetarëve. Në rastin e aktiviteteve të tilla të mundshme, politikanët duhet të japin shembullin se si duhet të funksionojë sistemi, domethënë t’i raportojnë ato tek autoritetet përgjegjëse. Partitë kanë përfaqësuesit e tyre në institucione në nivele të ndryshme, kështu që ata duhet të kujdesen shumë më tepër se të gjithë ne që sistemi të funksionojë duke respektuar ligjet dhe pushtetet”, tha për Portalb.mk Xhigal.
Opozita shqiptare: Deklaratat e Azizit tallje me inteligjencën e shqiptarëve
Sipas deputetit të opozitës shqiptare Skender Rexhepi Zejd, është vështir të ketë zgjedhje fer dhe demokratike kur të njëjtës i prihet më gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse për tensione.
“E keni shefin e fushatës zgjedhore të VLEN, i cili thërret në luftë vëllavrasëse, në mes shqiptarëve në Tetovë. Inscenon, shpif, duke thënë se në Tetovë kemi informacion nga një shtet fqinj, që implikon shtet e Kosovës apo Shqipërisë, ku janë planifikuar grupe që do e ndezin, do e kallin xhaminë në Kodër të Diellit. Me këtë thirrje, prokuroria, MPB, është dashur brenda natës ta thirrë këtë individ dhe nëse ka informacione të sakta le të arrestohen njerëzit. Kjo do të thotë thirrje për tetovarët që e përkrahin Aleancën Kombëtare për Integrim, që nesër ata të rrezikohen nga pala tjetër, kinse se kanë dashur të nxisin luftë fetare, vëllavrasëse. Kjo është e dëmshme që Kuvendi ta lejojë një gjë të tillë. Ne si kuvend duhet të dënojmë çdo thirrje për dhunë. E kemi pikën e 7-të, ndërsa në anën tjetër askush nuk e diskuton këtë pikë se sa është e rrezikshme për të pasur mbarëvajtje fer dhe demokratike të zgjedhjeve. Këtu duhet ta ngrenë zërin edhe partitë politike maqedonase, i gjithë kuvendi, që të tregojmë se vërtet jemi për zgjedhje fer dhe demokratike, por jo duke inskenuar dhe duke kërkuar përdorimin e dhunës brenda shqiptarëve”, tha deputeti Rexhepi.
Deputeti Rexhepi insiston se për çështjen në fjalë duhet të alarmohet prej kryeministrit të vendit e deri te të gjitha institucionet.
“Edhe incidenti mes maqedonasve dhe dy fëmijëve shqiptarë që u bë para disa ditëve ai del thotë se kam informacione të sigurta- sikur të jetë njeri i shërbimeve dhe thotë: Kam informacione të sigurta, që këtë e kanë bë njerëzit e caktuar të opozitës. Është thirrje e dëmshme të nderuar deputet. Është thirrje e dëmshme për mbarëvajtjen e procesit demokratik të zgjedhjeve edhe kjo duhet të alarmohet prej kryeministrit të qeverisë deri te të gjitha insititucionet, që të shihet qartë se njerëzit, individë nga frika se do i humbin zgjedhjet thellë inskenojnë incidente fetare, brenda etnike, brenda shqiptarëve, jo incidente ndëretnike. Dhe, kjo është e rrezikshme, dhe nëse këtë ne e heshtim, si mund të mendojmë të kemi zgjedhje të barabarta fer dhe demokratike”, përfundoi fjalën e tij Rexhepi.
Sipas deputetit, Halil Snopçe, Azizi po e tallë inteligjencën e shqiptarëve duke thënë se e dinë se kush i ka nxitur, “vojvodat” (tifo grup) për t’i rrah nxënësit shqiptarë dhe thotë se kemi informacione të sakta se kush ka dashur të djeg xhaminë në “Kodrën e diellit”.
“O njeri, nëse nuk të ka dërguar VMRO-DPMNE t’i thuash këto fjalë, bëhu pak vetëkritik se në mënyrë ta pavetëdijshme i quan shqiptarët “terroristë”. A je i vetëdijshëm cka je duke thënë”, tha Snopçe.
Kujtojmë se disa ditë me radhë deputeti Adnan Aziri nuk i është përgjigjur pyetjes së Portalb.mk: A i ka dorëzuar në institucionet kompetence informacionet se dikush po tenton të nxit tensione ndëretnike?
Më 29 shtator, Republika e Maqedonisë së Veriut ka hyrë në fushatë zgjedhore, rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, që do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.
Ndryshe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes ndëretnike dhe rrahjet me motive nacionaliste. Më 3 shtator një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët pësuan lëndime trupore.
Dy incidente paraprakisht, me bazë gjuhën e urrejtjes u shënuan në Kumanovë (3 gusht) dhe Kavadar (25 gusht).