Aktorë të (pa) fshehur në Maqedoni nxisin urrejtje mes Shkupit dhe Sofjes
Pas këtij paragrafi ka një galeri me pesë foto. Të gjitha janë të llojit “video të shkurtra” (reels) të pesë faqeve të ndryshme në Facebook. Të gjitha duken pothuajse identike sepse këto pesë faqe në Facebook publikojnë video përmbajtje pothuajse identike, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Këto faqe në Facebook janë: Vestimak.mk, Vestimk.mk, 24mk.mk, Мk24.mk dhe Utre.mk. Ato nuk i kanë të përbashkëta vetëm video përmbajtjet.
Kontrolli nga jashtë
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht në Facebook të gjitha faqet e lartpërmendura janë krijuar në periudhën nga muaji janar deri në muajin korrik të vitit 2023. Vestimak.mk u krijua në janar të vitit 2023, Vestimk.mk në qershor të vitit 2023, ndërsa tre faqet e tjera në të njëjtën datë – 11 korrik të vitit 2023.
| Emri i faqes në Facebook | Data e krijimit |
| vestimak.mk | 29.1.2023 |
| vestimk.mk | 4.6.2023 |
| 24mk.mk | 11.7.2023 |
| mk24.mk | 11.7.202 |
| utre.mk | 11.7.2023 |
Emëruesi tjetër i përbashkët është se, sipas informacioneve në Facebook, të gjitha këto faqe menaxhohen nga jashtë vendit.

Më saktësisht, ato menaxhohen nga tre profile nga Bullgaria fqinje dhe një profil nga Maqedonia. Facebook nuk zbulon se për cilat profile konkretisht bëhet fjalë.
Imponimi i narrativave
Të gjitha këto profile në Facebook, të cilat janë të mbushura me përmbajtje nga përdorues nga Bullgaria fqinje, kanë gjithsej 137 mijë ndjekës. Numri më i madh i postimeve janë lajme të zakonshme nga vendi, por midis lajmeve të përditshme përvidhen postime që nxisin debat, për shembull, rreth marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, marrëdhënieve mes maqedonasve dhe shqiptarëve, e të ngjashme.
Për ilustrim, më 13 korrik të vitit 2026 në të pesë faqet u publikua një pjesë e një interviste me Arben Taravarin për podkastin “Përballja fillestare”, e cila nuk ngjalli kurrfarë interesi në mediat kryesore në vend. Duke folur për integrimin e Maqedonisë në BE Taravari i referohet edhe detyrimeve nga Korniza Negociuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Disa nga titujt e postimeve në Facebook janë: “Taravari: Maqedonasit nuk kanë popull më të afërt se bullgarët, ata duhet ta kuptojnë këtë” ose “Bullgarët absolutisht duhet të përfshihen në Kushtetutë, besoj se edhe VMRO e ka të njëjtin qëndrim”.
Nën titujt e tillë ndonjëherë ka me qindra komente, si:
“Çdo gjë që është në dëm të maqedonasve, ti i miraton të gjitha”, shkruan një komentues.
“Jo vetëm bullgarët, por edhe shqiptarët jashtë Kushtetutës“, shkruan një tjetër.
“Futni në Kushtetutën e Shqipërisë, merrni në shtëpi nëse i doni“, komenton një tjetër përdorues.
“Spiun, pse nuk i fut serbët në Kushtetutën e Shqipërisë“, ka shkruar një komentues në Facebook.

Ka edhe komente të tjera, më eksplicite, në të cilat fyhen individë, por edhe kombe të tëra. Kjo ndodh jo vetëm çdo ditë, por disa herë në ditë. Formula është e njëjtë, postimi i përmbajtjeve me tituj provokues për marrëdhëniet ndërshtetërore ose ndëretnike, pas çka rregullisht pason një debat publik që në komente përshkallëzohet në fyerje dhe urrejtje.
Të gjitha rrugët të çojnë në Sofje
Edhe pse disa fakte mund të verifikohen, Facebook nuk publikon se kujt i përket një faqe dhe kush e hapur atë. Por, faqet e lartpërmendura kur publikojnë lajme, përdorin tekste nga disa faqe interneti. E secila faqe në internet duhet të jetë e regjistruar diku. Identifikuam gjashtë portale që shërbejnë si burime për lajmet që transmetohen në faqet e lartpërmendura në Facebook. Pesë prej tyre janë të regjistruara në vend.
Sipas të dhënave të disponueshme në MARNET, vestimak.mk dhe vestimk.mk janë regjistruar nga Aleksandar Smiljkov. Edhe pse janë dy faqe interneti të veçanta, adresa e email-it të kontaktit është e njëjtë: [email protected]. Tre faqet e tjera, 24mk.mk, mk24.mk dhe utre.mk janë regjistruar nga Asen Petrovski. Edhe pse janë tre faqe të veçanta, adresa e email-it për kontakt është e njëjtë: [email protected].
| Emri i portalit | Regjistrues | E-maili i kontaktit |
| Vestimak.mk | Aleksandar Smillkov | [email protected] |
| Vestimk.mk | Aleksandar Smillkov | [email protected] |
| 24mk.mk | Asen Petrovski | [email protected] |
| Mk24.mk | Asen Petrovski | [email protected] |
| Utre.mk | Asen Petrovski | [email protected] |
Mjafton vetëm ta vendosni e-adresën për kërkim në Google e do fitoni informacionin se [email protected] është një adresë për kontakt të cilën e përdor Fondacioni Bullgar “Maqedonia”. Për shembull, kur kishin shpallje për ndarjen e bursave për studime në Sofje për një student nga Maqedonia.

Faqet e lartpërmendura në Facebook shpërndajnë edhe përmbajtje nga një uebfaqe që nuk është e regjistruar në vend. Bëhet fjalë për uebfaqen vestimak.com. Nga kontrollet rezultoi se ajo ishte e regjistruar në Bullgari. Ndërsa në adresën e Fondacionit “Maqedonia” në Sofje, në rrugën “Brezite” nr. 3, ekziston një shoqëri tregtare me të njëjtin emër si uebfaqja dhe faqja në Facebook – vestimak ltd.
Kompania vestimak ltd. ka tetë bashkëpronarë. Një nga ato, me 25%, është themeluesi i Fondacionit “Maqedonia” – Viktor Stojanov. Bëhet fjalë për një shtetas bullgar të cilit i është ndaluar hyrja në vend që nga viti 2022.
Përçarje
Më 4 mars të vitit 2026 Аgjencia e Sigurisë Kombëtare publikoi se në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, Byronë e Sigurisë Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë ndërmarrë masa të sinkronizuara për ndjekje penale e ligjore të disa individëve dhe për sekuestrimin e materialeve propagandistike që kishin për qëllim të nxisnin intolerancë etnike dhe kombëtare, përçarje dhe urrejtje mes qytetarëve në vendin tonë. Në kumtesë theksohet edhe se materiali i sekuestruar kishte për qëllim të nxiste urrejtje ndaj shtetit dhe identitetit maqedonas dhe se të denoncuarit përmes faqes në Facebook “Të dhëna historike për Maqedoninë” kanë ndarë përmbajtje që nxisin diskriminim kombëtar dhe etnik.
Po të njëjtën ditë nga Prokuroria Publike kumtuan se ishte hapur lëndë gjyqësore për këtë rast. Megjithatë, ndryshe nga ASK, ata njoftuan se i dyshuar ishte vetëm një person dhe atë për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike nëpërmjet një sistemi kompjuterik.
“I dyshuari është nxitur që të përfshihet në aktivitete të tilla nga një shtetas bullgar, i cili për një periudhë të gjatë kohore në rrjetet sociale dhe portale të tjera publikon përmbajtje që kanë për qëllim të nxisin urrejtje, intolerancë dhe dhunë”, thanë nga Prokuroria Publike në kumtesën e publikuar më 4 mars të vitit 2026.
Emri i shtetasit bullgar zyrtarisht nuk u bë i ditur. Jozyrtarisht, një numër i madh i mediave publikuan se bëhej fjalë për Viktor Stojanovin nga Fondacioni “Maqedonia”.
Në fund asgjë
“360 Gradë” iu drejtua Prokurorisë Publike me disa pyetje në lidhje me lëndën e hapur në muajin mars.
“Procedura është në vijim e sipër. Po mblidhen prova dhe po kryhet ekspertizë. I dyshuari është shtetas i Maqedonisë. Prokuroria Publike po punon në vërtetimin e përgjegjësisë penale dhe nuk ka kompetenca për ta ndaluar punën e portaleve online dhe mediave”, thanë nga Prokuroria Publike.
Vetëm dy javë më parë portali “Skopje1”, duke u thirrur në “më shumë burime”, publikoi se mbi 20 portale ishin nën hetim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare për përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Kur më 5 qershor të vitit 2026 u publikua teksti i të inkriminuarës “Të dhënat historike për Maqedoninë” u publikua edhe ky tekst:
“Le të vijë ASK në Vllae të na fshijë si portal bullgar. Ne i presim. Micko, o fyell, nuk do të jesh një Kim Jong i dytë. Qyqar.”
Por, kontrolli i të dhënave në Facebook tregon se faqja menaxhohet nga katër profile nga Republika fqinje e Bullgarisë.

Por kjo nuk e ndryshon faktin se ajo vazhdon të ekzistojë dhe të publikojë përmbajtje që, sipas shërbimeve në vend, kanë për qëllim të ngjallin intolerancë dhe urrejtje në vend.
“Kryeredaktori”
Në Maqedoni tashmë për një kohë më të gjatë ekzistojnë edhe portale të tjera online, faqe në Facebook, madje edhe individë që rregullisht hapin tema për Bullgarinë, për bullgarët në Maqedoni, ose e promovojnë Bullgarinë fqinje. Disa prej tyre kanë një publikues të deklaruar qartë, gjegjësisht impresum.
Por, portalet e përmendura në këtë tekst nuk kanë impresum. Ato nuk kanë një kontakt, nuk kanë publikues. Një rrethanë shtesë që hedh dyshime mbi të gjithë operacionin është edhe se kompania bullgare “Vestimak”, edhe pse ka themelues dhe seli, nuk ka publikuar raport financiar vjetor që nga themelimi i saj. Por, përveç pyetjes se si financohet i gjithë operacioni, lind një pyetje tjetër – ndoshta edhe më e rëndësishme – kush përfiton nga nxitja e intolerancës si brenda Maqedonisë ashtu edhe mes Maqedonisë dhe Bullgarisë?
“360 Gradë” dërgoi pyetje në adresat elekronike të depozituara në MARNET gjatë regjistrimit të portaleve të lartpërmendura. Dërguan tre pyetje, pse nuk publikojnë impresum dhe publikues, si financohen duke pasur parasysh se nuk kanë ndonjë aktivitet domethënës komercial në uebfaqet e portaleve të përmendura dhe cili është qëllimi që duan ta arrijnë me publikimin e përmbajtjeve që provokojnë gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale.
Morën dy përgjigje më 22 korrik të vitit 2026. Fillimisht, rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, në adresën e email-it të autorit të këtij teksti nga i cili u dërguan pyetjet arriti një përgjigje nga adresa [email protected]. Email-i është nënshkruar nga Viktor Stojanov. Kjo është përgjigjja integrale e pyetjeve:
“Ju jeni një media shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku deri pak kohë më parë ministër dhe zëvendëskryeministër ishte njeriu i Putinit në Shkup – Ivan Stoillkoviq. A duhet t’ju japim juve shpjegime? Do t’ju përndjekim deri në fund. Tung.”

Rreth tre orë më vonë, në njërën nga adresat zyrtare elektronike të “360 Gradë” morën përgjigje të re për të njëjtat pyetje, edhe kjo nga adresa [email protected]. Ajo është si vijon:
“A do ta informoni publikun në Maqedoni se jeni një media shtetërore e RMV-së, d.m.th. vartëse direkte e Mickoskit? Nëse nesër nuk bëni një deklaratë të tillë zyrtare, nesër do t’i tregojmë të gjithë opinionit në Maqedoni se jeni një media shtetërore. Që të mos ju besojnë sepse jo të gjithë në Maqedoni e mbështesin Mickoskin dhe politikat e tij pro-ruse dhe pro-serbe.
Përshëndetje të përzemërta.”
Kush përfiton nga intoleranca dhe urrejtja?
Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i “Eurothink” dhe ekspert në fushën e populizmit dhe ekstremizmit të krahut të djathtë në Evropë, mendon se qëllimi i portaleve të tilla është të provokojnë revoltë tek qytetarët në Maqedoni. Pastaj kjo revoltë transferohet në rrjetet sociale, ku kryqëzohen mendimet mes maqedonasve dhe bullgarëve.
“Kjo shumë lehtë shndërrohet në një gjuhë të madhe të urrejtjes. Këtë gjë e vë re sidomos në muajt e fundit, se (dukuria p.k.) është përforcuar. Hapësira ku mund të zhvillohet një bisedë miqësore me njerëz nga përtej kufirit është ngushtuar shumë sepse diskutimi shumë lehtë shpërthen në një gjuhë të urrejtjes, në fyerje dhe stereotipe e paragjykime etnike”.
Efektet e portaleve të drejtuara nga Fondacioni “Maqedonia” për të cilat flet Nikollovski janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimet e deklaruara të organizatës. Në uebfaqen e tyre thuhet se ata e mbështesin ndërtimin e urave mes shoqërisë maqedonase dhe bullgare në të gjitha sferat e jetës. Madje edhe për t’u bërë një shoqëri në dy shtete.
Por Nikollovski përkujton se themeluesi Viktor Stojanov në praktikë po e bën pikërisht të kundërtën.
“Sipas njohurive të mia ai luan një rol që nuk mbështetet nga Sofja, nga shteti bullgar, por pas tij qëndrojnë disa interesa të tjera afariste-politike, qëllimi i të cilave është ruajtja e armiqësisë mes dy vendeve.
E përmenda gjeopolitikën. Kjo është në favor kryesisht të atyre që nuk duan që Maqedonia ose Ballkani Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian. Dhe ne e dimë se duke e ruajtur një armiqësi të tillë, rruga e vendit tonë drejt BE-së duket gjithnjë e më largët dhe duket gjithnjë e më e pamundur që të mund të hapen bisedimet. Pra, këtu do përmendja lojtarë gjeopolitikë si Rusia, e cila ndoshta ka interesin më të madh që të mos ketë integrim në Ballkan.
Ashtu është, nuk mund të gjeni asgjë. Ai madje ka shprehur edhe mbështetje për Ukrainën. Por, në të gjithë Evropën ka shumë lojtarë të tillë që luajnë në këtë mënyrë, qëllimi i të cilëve është që ta përçajnë popullatën në Evropë, kështu që ky është vetëm një lojtar lokal në një lojë globale shumë më të madhe.”
“Maqedonia” do e pushtojë Maqedoninë
Çfarë mund të bëjnë autoritetet kompetente në situatën e dhënë është një temë tjetër që u diskutua me Dimitar Nikollovskin. Ai thotë se hetimet janë një mënyrë për të vërtetuar zyrtarisht një qëllim malicioz ose marrëdhënie të dyshimta financiare. Por, ai është i mendimit se prokuroria i ka duart e lidhura kur bëhet fjalë për masa eventuale kufizuese ose mbyllje të portaleve për shkak të ndërhyrjes në fushën e lirisë së fjalës.
Këto kufizime, me sa duket, janë të njohura mirë edhe për vetë Stojanovin. Pikërisht gjatë kohës që po përgatitej ky tekst dhe para se t’u drejtoheshim portaleve të lartpërmendura me pyetje, në faqen në Facebook të Fondacionit “Maqedonia” ai njoftoi se Shkupi nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale po i helmon maqedonasit me propagandë kundër bullgarëve dhe Bullgarisë.
“Për këtë arsye në vitin 2022 ne në Fondacionin “Maqedonia” krijuam mediat tona të para, ndërsa sot po ndihmojmë mbi 10 media të lira në rajonin e Maqedonisë së Veriut. Ka ardhur koha që më shumë bullgarë të bashkohen rreth këtyre mediave tona dhe të krijojnë të paktën edhe 10 të tjera, t’i zhvillojnë ato si media më të njohura në Maqedoninë e Veriut. Ta thyejnë propagandën dhe gjuhën e urrejtjes dhe të dominojnë në ekranet e telefonave, laptopëve dhe madje edhe televizorëve të maqedonasve. Kjo është një zgjidhje e mundshme afatgjatë për ta ndalur propagandën brutale anti-bullgare të Shkupit. Po mendojmë të vendosim një tarifë anëtarësimi të synuar dhe të kontrolluar prej 5 eurosh në muaj, përmes së cilës do të mblidheshin para çdo muaj, me të cilat para në mënyrë transparente për secilin anëtar do mund t’i mirëmbajmë dhe zhvillojmë mediat tona të lira në Maqedoninë e Veriut. Na shkruani, bashkohuni me ne”, thuhet në një postim në faqen në Facebook të Fondacionit “Maqedonia”.
Një ditë më vonë, duke e uruar festën e Ilindenit sipas kalendarit të reviduar Julian, ai shkroi:
“Duhet ta godasim maqedonizmin me mediat dhe në këtë mënyrë të ndalojmë gjuhën e urrejtjes! Qëllimi i dytë është të krijojmë parti bullgare në Shkup dhe të kemi ministra dhe zëvendësministra bullgarë!”
Poshtë këtij postimi për momentin ka më shumë se 850 komente. Shumica e tyre janë variacione të disa shembujve të mëposhtëm – bastard i qelbur tatar, vemje tatare – shko mjekohu, zhduku qen tatar.

Në mesin e tyre shfaqet edhe një profil në gjuhën bullgare i cili e bën një paraljmërim, të gjitha komentet në të cilat bullgarët quhen tatarë do të fshihen. Profili i cili fshihet pas një pseudonimi për këtë gjë komentohet nga një përdorues me emër dhe mbiemër, Pepi. “Bullgarë – fashistë,” shkruan ai. “Ideale, urime,” ia kthen profili i fshehur në gjuhën bullgare.