Aktakuzë ndaj Trumpit për komplot për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve më 2020

Ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është ngritur aktakuzë për komplot për ta shfuqizuar disfatën në zgjedhjet e vitit 2020, raporton REL. Trump akuzohet për konspiracion për ta mashtruar SHBA-në, pengimin e dëshmitarëve dhe konspiracion kundër të drejtave të qytetarëve.

Aktakuza është ngritur pas një hetimi ndaj ngjarjeve që ndodhën gjatë trazirave të 6 janarit 2021, në Kapitol të Shteteve të Bashkuara.

Trump, i cili synon të garojë sërish për president të SHBA-së, i mohon akuzat. Ai e quajti “qesharake” aktakuzën ndaj tij në një reagim të bërë në rrjetet sociale.

Trump, 77 vjeç, është urdhëruar të dalë para gjykatës federale të enjten.

Akuzat pasojnë hetimin e Prokurorit të Posaçëm, Jack Smith, ndaj dyshimeve se Trump kishte tentuar ta pengonte Kongresin gjatë verifikimit të fitores së Joe Bidenit dhe t’ua mohojë votuesve të drejtën për zgjedhje të drejta.

“Sulmi në kryeqytetin e kombit tonë më 6 janar 2021 ishte sulm i paparë në demokracinë amerikane. Siç përshkruhet në aktakuzë, ishte nxitur nga gënjeshtrat”, tha Jack Smith.

Në aktakuzë thuhet se Trumpi kishte bërë komplot me gjashtë persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, për ta shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve.

Prokurorët thanë se Trumpi e dinte se pretendimet e tij se zgjedhjet ishin hileqare, ishin të rreme, por i përsëriti ato gjithsesi për ta “krijuar një atmosferë të mosbesimit kombëtar, për të nxitur zemërim dhe për ta rrënuar besimin në administratën e zgjedhjeve”.

Në një komunikatë për media, fushata e Trumpit tha se ai gjithmonë e kishte respektuar ligjin dhe e karakterizoi aktakuzën si “përndjekje” politike e ngjashme me Gjermaninë naziste.

Zyrtarët dëshmuan se Trumpi u kishte bërë atyre presion bazuar në pretendime të rreme për mashtrim të madh gjatë votimit.

Përkrahësit e Trumpit e sulmuan Kapitolin amerikan më 2 janar 2021, në përpjekje për të mos e lejuar Kongresin ta certifikojë fitoren e Bidenit.

Trumpi dhe bashkëkomplotistët akuzohen për organizimin e mashtrimit në zgjedhje në shtatë shtete, në të cilat humbi, për t’i dorëzuar votat për t’u llogaritet si zyrtare nga Kongresi më 6 janar.

Ndonëse emrat e bashkëkomplotistëve nuk janë bërë të ditur, njëri prej tyre është përshkruar si zyrtari i Departamentit të Shtetit, Jeffrey Clark, i cili kishte tentuar të emërohej prokuror i përgjithshëm, në mënyrë që të niste hetime për mashtrim me vota në Xhorxhia dhe në shtetet e tjera.

Clark nuk i është përgjigjur kërkesës së Associated Press për koment në lidhje me këtë.

Trumpi tani përballet me 78 akuza kriminale në tri raste të ndryshme. Ai është aktualisht favorit në garën e Partisë Republikane për të qenë kandidati i tyre për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Kushdo që e fiton garën e republikanëve, do të përballet me kandidatin e demokratëve, që pritet të jetë presidenti Biden, në zgjedhjet e nëntorit 2024.