Aksident mes tre veturave në rrugën Dibër-Mavrovë, dhjetë të lënduar

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në afërsi të fshatit të Dibrës Kosovrast i Poshtëm në rrugën Dibër-Mavrovë. Në të janë përfshirë tre automjete, ndërsa dhjetë persona kanë mbetur të plagosur, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë kanë shpëtuar me lëndime të lehta, përveç një personi, i cili ka thyer brinjë.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit në vendin e aksidentit kanë shkuar autoambulanca. Vetëm njëri prej personave ka thyer brinjë, pjesa tjetër me lëndime të lehta. Kujdesi i duhur i tyre është duke u zhvilluar. Sipas vlerësimeve të para nuk ka nevojë për transport të tyre në institucionet tjera”, tha për MIA-n Ismailaki Klenja, ortoped në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër.

Njëra nga veturat është e Manastirit, një me targa të Shkupit dhe e treta me targa sllovene.

Për shkak të aksidentit është krijuar një kolonë mjetesh, por pritet që së shpejti të përfundojë këqyrja dhe qarkullimi të normalizohet.