Ahmeti: Nuk ka nevojë për takim liderësh, zgjedhje do të ketë në terminin e rregullt

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në terminin e rregullt. Momentalisht, zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje, deklaroi sot lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, transmeton Portalb.mk.

“Prioritet mbi prioritetet është se si të arrihet marrëveshje për ndryshimet kushtetuese dhe mbajtja e konferencës ndërqeveritare, që duhet të mbahet deri në fund të këtij viti. Nuk e di çfarë mund të bëjmë që t’u shërbejmë më mirë njerëzve, se sa të anëtarësojmë vendin në Bashkimin Evropian. Zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje, kështu që, zgjedhjet do të mbahen në terminin e rregullt, në pranverë të vitit të ardhshëm”, tha Ahmeti duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë promovimit të projektit “Përmirësimi i furnizimit me ujë për vendbanimet Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq, Llaskarcë, Çajlanë dhe Semenishtë”.

Ahmeti porositi VMRO – DPMNE-në që, nëse i pengon që BDI të jetë në qeveri, atëherë të votojë ndryshimet kushtetuese. Menjëherë pas kësaj, theksoi Ahmeti, BDI do të tërhiqet nga pushteti ekzekutiv.

Për thirrjen e kryetarit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski të ditëve të fundit për takim liderësh me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, në të cilin do të bisedohej për zgjedhjet e ardhshme dhe procesin zgjedhor, Ahmeti tha se, nuk ka nevojë për një takim të tillë.

Opozita në Maqedoninë e Veriut kërkon nga kryeministri Dimitar Kovaçevski apo kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, takim të liderëve të partive politike, në të cilin do të bisedohej për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se zgjedhjet duhet të mbahen për shkak të dështimit të shumicës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, që është kusht për procesin e integrimit evropian.